Autoritetet shqiptare ende nuk e dinë se nga kanë hyrë dy pesticidet e ndaluara, Chlorpyrifos dhe Phosmet, të përdorura nga fermerët në Berat dhe Sarandë për prodhimin e mandarinave.
“Nga inspektimi që kemi bërë bashkë me AKU, janë gjetur fermerët nga të cilët është blerë produkti Klementinë. Produkti është marrë nga Saranda dhe një pjesë nga Berati. Është ngritur një grup pune dhe po ndiqet. Po shihet nëse kanë regjistër të PMB-së dhe nëse pesticidet janë të regjistruara. Për momentin, fermerët janë duke u kontaktuar. Ne nuk e dimë se si futen këto preparate në Shqipëri, mund të vijnë nga kontrabanda,” tha Ervin Çullhaj, specialist i Autoritetit Kombëtar të Veterinarisë.
“Në faqen zyrtare të MB është shumë e thjeshtë për të parë listën e preparateve të ndaluara. Lista përditësohet rregullisht. I këshilloj fermerët që ta ndjekin listën me kujdes. Janë të informuar dhe të pajisur me regjistrin e fermerit. Brenda këtij viti, janë për t’u hequr shtatë produkte të tjera. Lista përditësohet çdo tre muaj,” deklaroi Jetmir Meta, specialist në Drejtorinë Rajonale të Veterinarisë, Vlorë.
Çdo fermer ka detyrimin që, para se të përdorë pesticidet në produkte, të konsultohet me një agronom. Por jo gjithmonë respektohet koha e karencës, duke sjellë produkte me përmbajtje pesticidesh mbi normë dhe rrezikuar shitjen e tyre.
“Unë gjithmonë përditësohem me listën e produkteve për mbrojtjen e bimëve. Marr masa paraprake që, para se të hiqen nga lista, t’i nxjerr jashtë tregut. Këto pesticide janë hequr dy vite më parë. Kontrolli është i vazhdueshëm; unë kam pasur kontrolle edhe para dy javësh nga AKU. Janë kontrolle të planifikuara, por edhe rastësore. Zakonisht fermerët nuk janë të orientuar. Unë jap ato që janë brenda listës dhe i rekomandoj për kohën e spërkatjes, mënyrën e përdorimit dhe për karencën. Produktet duhet të analizohen paraprakisht këtu,” tha Dritan Kolleshi, farmacist bujqësor.
Që prej javës së kaluar, Kroacia ka bllokuar katër ngarkesa me mandarina shqiptare, pasi fermerët kanë shkelur ligjin duke përdorur kontrabandë dy pesticide të ndaluara. /vizionplus.tv





