Kryeministri Edi Rama i ka bërë thirrje Bashkimit Europian t’i hapë dritën jeshile Shqipërisë dhe Maqedonisë së Veriut për negociatat e anëtarësimit.

 

Duke folur nga Asambleja e përgjithshme e Kombeve të Bashkuara, Rama tha se stabiliteti ne rajon mund të sigurohet vetëm përmes integrimit europian.


Edi Rama: “Do të doja të theksoja se stabiliteti, siguria, prosperiteti dhe demokracia e rajonit, mund të garantohet vetëm nga perspektiva europiane e për këtë arsye dhënia e përgjigjes pozitive për Shqipërinë dhe Maqedoninë e veriut për ambicien e tyre për të hapur bisedimet për antarësim nuk do të jetë thjesht një shpërblim bazuar në meritën e tyre por po kështu, strategjikisht do të jetë vendimi më i mençur që BE-ja do të merrte për BE-në.”

 

Kryeministri shtoi gjatë fjalës së tij para liderëve botërorë se reforma e pashembullt ne drejtësi në Shqipëri do të sigurojë pastrimin e plotë të sistemit.

 

“Ndërkohë që sistemi I ri i drejtësisë formësohet ngadalë duke u bërë plotësisht funksional, ne shpresojmë qe ai do të ulë në mënyrë të konsiderueshme të gjitha aktet e korrupsionit dhe të abuzimit më pushtetin dhe do të sigurojë më në fund triumfin e drejtësisë, e shtetit të së drejtës në të gjithë vendin, një vend që e dua me shpirt dhe që e përfaqësoj me krenari këtu sot.”

 

Me tone kritike Rama iu drejtua Bashkimit Europian duke vënë në dukje izolimin e Kosovës.


“Është e pajustifikuar që Kosova, një shtet me 2 milionë banorë, mbetet populli më i izoluar në Europë, pa pasur liberalizim vizash. Nga 2014 më shumë se 100 mln njerëz janë shtuar asaj bashkësie që mund të hyjnë ne BE pa viza, si është e mundur që BE të mbajë peng 2 mln njerëz që kanë luftuar kaq fort për lirinë e tyre dhe që mbeten të angazhuar ndaj perspektivës së saj europiane. E dashur BE, ndaloje këtë iniciativë të pakuptimtë.”

 

Rama gjithashtu iu drejtua publikisht edhe Serbisë për çështjen e njohjes.

 

“Ka ardhur koha që të gjitha vendet e kësaj asambleje sidomos e së pari miqtë tanë serbë të njohin pavarësinë e Kosovës për t’i dhënë hakun historisë e për të njohur realitetin si e vetmja bazë e fortë për të ndërtuar një të ardhme të përbashkët më të mirë. E dashur Serbi. Kosova e pavarur është një realitet i pakthyeshëm kështu që mos jetoni më ne mohim, dhe bëni histori për veten tuaj e për botën duke ardhur në realitet.”

 

Gjatë fjalës së tij në Kombet e Bashkuara, kryeministri Rama foli edhe për globalizmin dhe klimën, për të cilat premtoi vazhdimin e angazhimit të Shqipërisë për t’u bërë një vend shembull, jo vetëm në rajon, por edhe më gjerë.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *