Maturantët kanë lënë tashmë pas dy nga katër provimet e Maturës Shtetërore. Në prag të provimit të matematikës, shumë prej tyre po shfrytëzojnë ditët e fundit për konsultime intensive me mësuesit. Po aq i rëndësishëm sa vetë testimi është edhe procesi i vlerësimit të tezave. Rreth 650 mësues janë angazhuar në korrigjimin e provimeve.
“Është një vlerësim që bëhet nga dy mësues të cilët punojnë në mënyrë autonome dhe në fund të korigjimit të testit bëhet një vlerësim. Në rast se nuk bien dakord për pikëzimin, ndërhyn drejtuesi teknik”, thotë Orjana Osmani, zv.ministre e Arsimit.
Maturantëve u njihet gjithashtu e drejta e ankimimit në rast se kanë dyshime për rezultatin e marrë.
“Ky proces bëhet pas daljes së katër notave të provimeve të maturës. Në përfundim të këtij procesi, ai ka të drejtën, nëpërmjet e- Albania, të kërkojë kopje të testit e më pas mund të shkojë në shkollën e tij. Në rast se komisioni shkollor vlerëson që testi nuk është korigjuar sic duhet, atëherë mund të kalojë në QSHA”, sqaron Osmani.
Ndërkohë, provimi i Gjuhës Shqipe dhe Letërsisë u shoqërua me një incident që riktheu vëmendjen te integriteti i procesit.
Publikimi i tezës gjatë zhvillimit të provimit çoi në identifikimin e menjëhershëm të maturantit përgjegjës, i cili u përjashtua nga testimi. Zv.Ministria e Arsimit e konsideron rastin si provë të funksionimit të mekanizmave të kontrollit dhe paralajmëron masa të forta ndaj çdo tentative për të cenuar barazinë.
“Ashpërsimi i masave disiplinore dhe penaliteteve për këdo që do cënonte procesin, sigurisht do të ishin në zbatim gjatë këtij procesi të rëndësishëm të matures shtetërore”, tha Osmani.
Sfida e radhës për maturantët do të jetë më 16 qershor, kur do t’i nënshtrohen provimit të Matematikës. Ndërsa më 23 qershor do të zhvillohet testi i fundit i Maturës Shtetërore, ai i lëndës me zgjedhje, duke mbyllur kështu një nga proceset më të rëndësishme për gjimnazistët.





