Subscribe

Prokuroria e Tiranës ka marrë në pyetje agjentë doganorë dhe punonjës të skanerit në portin e Durrësit, lidhur me 119 kg kokainë që vinte nga Ekuadori dhe ishte fshehur në kontejnerët e kompanisë Zico SHA e njohur në treg si BanaKing.

 

Hetimet kanë nisur, pasi kontejneri kaloi në skaner dhe doli i pastër. Në pyetje do të merren edhe punonjës të tjerë të doganës së Portit, por edhe përfaqësues të kësaj kompanie, që prej vitesh operon në tregun shqiptar me tregtimin e bananeve.

 

Veprimet e organit të akuzës i paraprinë hetimeve paraprake, përpara se kjo dosje të kalojë në SPAK pasi dyshohet se bëhet fjalë për një grup të strukturuar kriminal që bën trafikimin e drogave të forta nga Amerika Latine në Shqipëri.

 

Pas mbërritjes në SPAK, ky institucion pritet që të thellojë më shumë hetimet mbi trafikun e drogës për të zbardhur emrat dhe linjën e trafikut.

 

Droga e fundit e llojit kokainë prej 119 kg u kap në kontejnerët e BanaKing. Më herët gjykata e Tiranës la në burg menaxherin e kësaj kompanie Marson Murataj, si dhe për dy shoferë Hasan Saliaj dhe Gëzim Kalaja, të dyshuar për trafik droge në bashkëpunim.

 

BanaKing dhe punonjësit e saj u vonuan që të raportojnë në polici ngjarjen ku sipas tyre, persona të armatosur dolën dhe bllokuan kamionin në rrugë. Më pas policia gjeti 7 arka, ku  në pjesën e poshtme të tyre ishin të fshehura 100 pako me kokainë në total .

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *