Në ditën e dytë të procesit ‘screening’ të Kapitullit 24, për “Sigurinë, Drejtësinë dhe Lirinë” që po mbahet në Komisionin Evropian, fokusi ishte te çëshjet e migracionit të paligjshëm dhe azilit.

 

Zv.ministrja e Brendshme Romina Kuko theksoi rëndësinë e procesit.

 

 

“Jemi në ditën e dytë të takimit shpjegues të kapitullit 24 për të cilin Ministria e Brendshme ka rolin e liderit. Kapitulli 24 përfshin një sërë fushash si lufta kundër krimit të organizuar, lufta kundër migracionit të paligjshëm, lufta kundër terrorizmit, për të cilat në morëm një inkurajim shumë të madh edhe nga ana e Komisionit Evropian, të cilët shprehën vlerësimet e tyre për rezultatet e fundit të prekshme të Shqipërisë.Takimet janë shumë të ngjeshura, është një axhendë shumë e  ngjeshur, sepse bëhet shpjegimi i të gjitha direktivave dhe ligjeve të cilat duhet të përafrohen në kuadër të çeljes së negociatave. Ajo që dua të theksoj është që nëse për vendet anëtare ky proces është zhvilluar pas çeljes zyrtare të negociatave, me vendin tonë dhe me Maqedoninë gjithashtu, e cila është së bashku me ne, ky proces po zhvillohet shtatë muaj përpara çeljes së mundshme të negociatave, ç’ka do të thotë një avantazh për ne, por në të njëjtën kohë edhe një axhendë shumë  e ngjeshur për sa i përket punës që duhet të vijojë.  Dita e tretë do të jetë e fokusuar në luftën kundër krimit të organizuar dhe luftën kundër terrorizmit”.Procesi ‘screening’ është një analizë e hollësishme e kuadrit ligjor shqiptar në tërësi dhe ecurisë së përafrimit të legjislacionit, si një ndër hapat që vendi po hedh për hapjen e negociatave vitin për anëtarësim në Bashkimin Evropian.

 

Zv.ministri për Evropën dhe Punët e Jashtme, që është koordinator kombëtar për këtë proces, Gent Cakaj vlerëson rëndësinë politike të procesit.

 

 

“Rëndësia e procesit të ‘screening’ për Shqipërinë është e dyfishtë, nga njëra anë ky proces mbart një rëndësi të veçantë politike për Shqipërinë për shkak se, përkundër faktit që negociatat pritet të hapen zyrtarisht në qershorin e vitit të ardhshëm, Shqipëria aktualisht ka filluar fazën përgatitore për hapjen e negociatave, ngaqë ‘screening’ në vetvete është faza elementare përgatitore për procesin e negociimit për anëtarësim. Në këtë kuptim Shqipëria nuk ka mbetur në një vakuum politik, por mbase koha në dizpozicion është një kohë në shërbim të përgatitjes thelbësore për procesin e negociimit.

 

 

Pjesë e delegacionit shqiptar në takimin 3 ditor që zhvillohet në Bruksel janë përfaqësues nga Ministria e Brendshme, Ministria për Evropën dhe Punët e Jashtme, Ministria e Drejtësisë, Ministria e Shëndetësisë, Policia e Shtetit, Dogana, Banka e Shqipërisë.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *