Policia e Kosovës ka ndaluar një makinë me targe serbe, në të cilën janë gjetur municione luftarake. Lajmi është bërë i ditur nga ministri i Brendshëm i Kosovës, Xhelal Zveçla, i cili thekson se është parandaluar një sulm terrorist ndaj qytetarëve të Kosovës.

 

“Falë angazhimit intenziv të njësiteve të specializuara të Policisë së Kosovës dhe informatave/inteligjencës së pranuar, sot është identifikuar një veturë me targa të Beogradit, rreth 100m larg Komunës së Zvecanit, në të cilën janë zbuluar sasi të mëdha të armatimeve, mjeteve eksplozive dhe municioneve të ndryshme, përfshi Zolla, Osa, eksplozivë, armë automatike, sasi e konsiderueshme e municionit, shok-bomba, uniforma dhe çanta ushtarake”, thekson ai.

 

Ai shton se kjo ngjarje dëshmon sërish se grupet kriminale nën orkestrimin e Beogradit duan të krijojnë destabilizim.

 

“Të gjitha këto mjete kishin për qëllim dhe shërbejnë për realizim të sulmeve terroriste ndaj qytetarëve dhe Institucioneve të Republikës së Kosovës. Kjo është edhe një dëshmi e radhës që Serbia përmes grupeve dhe organizimeve të tilla synon të destabilizojë vendin tonë.

 

Policia e Kosovës bashkë me të gjitha organet tjera të sigurisë vazhdojnë angazhimet e tyre në parandalimit e cdo akti të mundshëm që synon cënimin e sigurisë së vendit tonë.

 

Ky rast konfirmon informacionet e pranuara nga Institucionet e sigurisë së Republikës së Kosovës se gjatë javëve të fundit nga territori i Serbisë janë futur në Kosovë vetura dhe automjete të tjera me armatime ushtarake”, shton ai.

 

Policia e Kosovës ka arrestuar disa shtetas serbë, të cilët i akuzon si krerë të bandave kriminale që krijojnë trazira në veri.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *