Situata në spitalet e Gazës është kaotike, qindra e mijëra pacientë e kanë të pamundur të marrin shërbim mjekësor për shkak të tejmbushjes së qendrave shëndetësore përtej kapaciteteve. Mediat ndërkombëtare sjellin dëshmi të bluzave të bardha, të cilët përballen çdo ditë me të plagosur nga sulmet izraelitet.

 

Paul Ley, një kirurg ortopedik në spitalin evropian në Khan Younis thekson se ndonëse spitali i ka ezauruar të gjitha kapacitetet, sërish vijnë për të marrë ndihmë dhjetëra pacientë të lënduar.

 

Gjendja e rënduar pasqyrohet edhe nga shifrat, ku siç mjeku thekson, janë mbi 360 persona që duhet të operohen, ndërsa deri në 7 mijë të tjerë enden dyerve të spitaleve për t’u strehuar.

 

“Ne kemi më shumë se 360 ​​persona në listën e operimit, me të cilat është e pamundur të përballemi. Spitali është plot me njerëz të zhvendosur që po strehohen, po flasim për 6,000-7,000 njerëz në korridore dhe jashtë spitalit.”

 

Ndërkohë, ushtria izraelite vazhdon me operacionet tokësore në jug të Gazës, ku ndodhet spitali.

 

Bluzave të bardha iu janë bashkuar edhe kolege të tjerë, të cilët janë strehuar në këtë qendër shëndetësore.

 

“Është rraskapitëse fizikisht dhe mendërisht. Unë jam duke operuar me disa kirurgë që u evakuuan nga veriu dhe ata po jetojnë me refugjatët e tjerë në tenda plastike.”

 

Mjekët rrëfejnë se operacionet po kryhen në kushte primitive, pasi spitalet vuajnë mungesën e medikamenteve të nevojshme.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *