Subscribe

Rreth 32 mijë maturantë në gjithë vendin, iu nënshtruan këtë të hënë provimit të tretë të maturës, në lëndën e Matematikës.

Testi zgjati 2 orë e gjysmë, 30 minuta më shumë se provimi i Letërsisë dhe ai i gjuhës së huaj.

Nxënësit e zhvilluan provimin me të njëjtin protokoll sigurie, si në provimet e mëparshme, të pajisur me maska dhe doreza, dhe jo më shumë se 15 veta për klasë.

Në krahasim me provimin e Gjuhë-Letërsisë dhe ankesave të maturantëve në lidhje me përmbajtjen e tij, ata thanë se testi i Matematikës kishte vetëm pyetje brenda programit. Një pjesë e nxënësve në kryeqytet e konsideroi testin të vështirë.

Ndërsa shtimi i kohës me 30 minuta ishte favorizues, disa maturantë thanë se alternativat në një lëndë si matematika kërkojnë kohë.

Por menjëherë pas përfundimit të provimit, disa gjimnazistë u organizuan në protestë ashtu sikurse kishin paralajmëruar. Në ditën e katërt të tubimit të tyre para Ministrisë së Arsimit, maturantët ishin më të paktë në numër.

Ata përsëritën të njëjtat thirrje dhe ankesa për provimin e Letërsisë, duke thënë se protestat do të vazhdojnë nëse nuk marrin përgjigjet e kërkuara nga autoritetet.

Ndërkohë edhe në qytete të tjera si Durrësi, Fieri, Vlora, Berati etj, maturantët testuan njohuritë e tyre në Matematikë, duke respektuar masat e sigurise.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *