Subscribe

Për të parën herë, “Marina Orikum” u bë destinacioni i superjahteve luksoze Sanlorenzo, që lundruan nga Italia.

Ky është vetëm fillimi i një bashkëpunimi të gjatë mes “Concord Investment” dhe kompanisë italiane lider në prodhimin e jahteve, Sanlorenzo, që do të shndërrojë Marinën e Orikumit në mikpritësin kryesor të varkave luksoze, të prodhuara me kohë e pasion sipas dëshirave të çdo klienti.

I parë si një investim që do të thithë ajkën e turistëve dhe do t’i japë një tjetër hov turizmit në Shqipëri, drejtuesi i kompanisë “Concord Investment”, Adrian Dulaku priti në marinë zëvendës presidentin për shërbimet dhe shitjet për superjahtet Sanlorenzo për të hedhur hapat e parë të një bashkëpunimi që premton sukses dhe zhvillim.

Gjatë turit, ata biseduan në detaje për qendrën që do të ngrihet në Marinën e Orikumit, që do të jetë aty për çdo servis, shërbim a informacion që do të jetë i nevojshëm për superjahtet Sanlorenzo.

“Bashkëpunimi ynë me Concord është shumëdimensional. Sigurisht me mbështetjen e marinave të Orikumit dhe të Sarandës, do të zhvillohet mundësia për të pranishëm edhe me qendra të asistencës dhe qendra servisi për klientët tanë këtu. Por edhe për të zhvilluar mundësi konkrete të ndërtimit dhe realizimit të pjesëve për jahtet tona këtu në Shqipëri. Mbërritja e jahteve këtu është për të dëshmuar dëshirën dhe prezencën tonë në këtë territor”, tha Errico Riggio, zv/president për shërbimet dhe shitjet te SanLorenzo.

Brandi prestigjioz italian Sanlorenzon zgjodhi “Concord Investment” për këtë bashkëpunim, prej sigurisë që ofron dhe ambicies që e karakterizon atë.

“Prej kohësh dialogojmë me Concord Investment dhe pamë tek ata ambicien për të rritur Marinën. Këtu jemi në qendër të Mesdheut dhe të kemi një partner si Concord, ku mund të mbështetemi edhe për ambicien tonë për t’u rritur dhe për të asistuar sa më mirë klientët tanë, është shumë e rëndësishme për ne”, u shpreh Riggio.

Ndërsa Shqipëria, veçanërisht Marina e Orikumit, u pa si vendi ideal për të investuar falë asaj që ofron.

“Kjo është hera ime e parë në Shqipëri. Kam dëgjuar të flitet shumë për këtë vend, në mënyrë të vazhdueshme në Itali dëgjoj të flitet shumë mirë për kaq shumë investime të kryera nga Concod Investment, një partner kaq pranë nesh që na jep mundësi për të njohur ofertën që mund të gjejmë këtu. Absolutisht që vihet re një infrastrukturë shumë e mirë, një potencial shumë i madh, një vend që ka dëshirën për t’u rritur dhe për të bërë gjithmonë më mirë, për t’u përmirësuar. Kjo është diçka që të emocionon dhe duke e parë me optikën tonë, na shyn për të propozuar për klientët tanë të përjetojnë një eksperiencë gjithmonë të re, duke përdorur superjahtet. Është absolutisht një vend që mund të të ofrojë diçka të re, një aventurë. Është shumë interesante”, tha Riggio.

Sanlorenzo prodhon lundrueset e luksit që prej vitit 1958 dhe qëndron i renditur si një prej 20 ndërtuesve më të mirë të jahteve mbi 24 metër.

Me bazë në Itali me katër fabrika prodhimi, Sanlorenzo operon në mbarë botën përmes përfaqësuesve të markës.

Sanlorenzo përmendet si kompania e parë në sektorin e jahteve që ka bashkëpunuar me emra të shquar të dizajnit ndërkombëtar për të krijuar ambientet e brendshme të jahteve me risi stilistike dhe duke rikonceptuar hapësirën në bord. /vizionplus.tv

 

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *