Forcat izraelite dhe militantët e Hezbollahut shkëmbyen zjarr përgjatë kufirit Izrael-Liban të dielën, për të tretën ditë radhazi. Izraeli tha se disa ushtarë kishin mbetur të plagosur, pas përfundimit të armëpushimit me militantët e Hamasit në Gazë.

 

Ushtria izraelite tha se ushtarët e saj u plagosën lehtë kur një raketë antitank e gjuajtur nga Libani goditi një automjet në zonën Beit Hillel, në veri të Izraelit.

 

Forcat izraelite u kundërpërgjigjën duke goditur me artileri, thuhet në deklaratën e ushtrisë.

 

Hezbollahu, që mbështetet nga Irani, tha se kishte si objektiv një sërë pozicionesh izraelite.

Pas fillimit të luftës Hamas-Izrael më 7 tetor, Hezbollahu ka kryer sulme pothuajse të përditshme me raketa mbi pozicionet izraelite në kufi, ndërsa Izraeli ka ndërmarrë sulme ajrore dhe artilerie në jug të Libanit.

 

Por kufiri ishte kryesisht i qetë gjatë një armëpushimi njëjavor në Gazë, që mori fund të premten.

 

Këto kanë qenë luftimet më të ashpra që nga lufta e vitit 2006 midis Izraelit dhe Hezbollahut, një aleat i Hamasit.

 

Në Liban, rreth 100 persona është njoftuar se kanë humbur jetën si pasojë e përplasjeve, 83 prej tyre luftëtarë të Hezbollahut. Dhjetëra mijëra njerëz janë larguar nga të dyja anët e kufirit./voa

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *