Sekretari për Çështjet Ligjore në PD, Ivi Kaso akuzoi mazhorancën se listat e hapura po i përdor thjesht si justifikim për të hequr koalicionet parazgjedhore.

Gjatë edicionit të lajmeve në “Vizion Plus”, Kaso tha se në të vërtetë listat do të vijojnë të jenë të mbyllura dhe do të lejohen koalicionet pas zgjedhjeve, për të ndarë pushtetin.

“Ndryshimet kushtetuese nuk synojnë hapjen e listave. Listat në pjesën më të madhe të tyre do të vazhdojnë të jenë të mbyllura. Hapja e listave është thjesht preteksti i mazhorancës për të hequr koalicionet. Zoti Rama në nismën e mbështetur prej tij, prek nenet në Kushtetutë që bëjnë fjalë për koalicionet parazgjedhore. Hiqet fjala koalicione. Nga njëra anë heqim koalicionet parazgjedhore, nga ana tjetër synohet të formohen koalicione paszgjedhore që bazohen kryesosht mbi bazën e ndarjes së llokmave të pushtetit.”

 Ivi Kaso tregoi edhe çfarë u diskutua në mbledhjen e sotme të Këshillit Politik. Ai nënvizoi se PS këmbënguli në disa tema që ishin mbyllur që kur u arrit marrëveshja e 5 qershorit.

“Temë disktuimi në tryezë ishin ndryshimet kushtetuese, por edhe një pjesë e mirë e temave që ishin dakordësuar dhe formalizuar në draftin e 5 qershorit. U diskutua për depolitizmin e komisioneve zgjedhore, mbi çështjen e sistemit zgjedhor, çështje të ezauruara në Këshillin Politik. Marrëveshja e 5 qershorit janë të mbyllura, por nëse nisma e ndryshimeve kushtetuese do të shkonte deri në fund do të sillte shfuqizimin e menjëhershëm të disa neneve të draftit të 5 qershorit. Preket shtylla kurrizore e gjithë procesit zgjedhor dhe do të na nevojitej një Kod i ri Zgjedhor.”

I pyetur për arsyen pse opozitarët kërkojnë referendum, Kaso deklaroi se kjo shihet si forma e vetme për të garantuar një zgjidhje përfundimtare për këtë temë kaq të ndjeshme.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *