Subscribe

Sot është ditë zie në Itali. Flamujt e ndërtesave publike në të gjithë vendin janë vendosur në gjysmë shtizë për të nderuar kujtimin e 11.591 viktimave të pandemisë.

 

Rreth 102 mijë persona në shtetin fqinj janë infektuar me covid 19,  4 mijë prej të cilëve në gjendje kritike. Pas thirrjeve për ndihmë në sistemin shëndetësor, 10 mijë mjekë dhe infermierë janë përgjigjur duke plotësuar kështu nevojat nëpër spitalet e tejmbushur. Ndërkohë Uashingtoni do të ndihmojë Italinë me një fond prej 100 milionë dollarësh si dhe pajisje mjekësore.Në një postim në tëiter, kryeministri Xhuzepe Konte ka shprehur mirënjohjen për solidaritetin dhe mbështetjen e miqve amerikanë.

 

Ndërkohë dekreti i fundit i miratuar nga këshilli i ministrave parashikon izolimin e vendit deri më datë 3 prill por zyrtarët italianë janë shprehur njëzëri për shtyrjen e afatit të paktën deri më 14 prill. Ministri i shëndetësisë, Roberto Speranca ka deklaruar se dalja nga karantina kërkon më shumë kohë dhe duhet bërë në mënyrë graduale. Në ditët e ardhshme do të jenë prefektët e rajoneve, ata që do të vlerësojnë se cilat masa mund të zbuten apo të shtrëngohen për të garantuar distancimin shoqëror dhe ruajtjen e zinxhirit të furnizimit të kompanive prodhuese.

 

Në takimin e fundit të komitetit tekniko-shkencor që mbështet qeverinë u theksua se të dhënat e dala nga Mbrojtja Civile janë akoma shumë teorike dhe se numrat mbi të cilët do të bazohen hapat e mëtejshëm do të arrijnë brenda dy javësh. Dalja nga karantina sipas ekspertëve do të ishte e mundur në muajin maj.

 

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *