Irani ka paralajmëruar se rinisja e luftimeve në mes të fqinjëve, Azerbajxhanit dhe Armenisë mund të përshkallëzohet në luftë më të madhe rajonale.
Presidenti iranian, Hasan Rohani ka thënë se shpreson në “rikthim të stabilitetit” në rajon gjatë ditëve të ardhshme, pas përleshjeve të ashpra për rajonin e Nagorno-Karabakut.
Ky rajon është zyrtarisht pjesë e Azerbajxhanit, mirëpo drejtohet nga popullsia etnike armene.
Luftimet e fundit konsiderohen më të këqijat në dekada, ndërkohë që të dyja palët kanë fajësuar njëra-tjetrën për dhunën.
“Ne duhet të jemi të vëmendshëm që lufta në mes të Armenisë dhe Azerbajxhanit të mos shndërrohet në luftë rajonale”, ka thënë Rohani të mërkurën.
“Paqja është baza e punës sonë dhe ne shpresojmë në rikthim të stabilitetit në rajon në mënyrë paqësore”, ka thënë ai.
Rohani po ashtu ka thënë se është “plotësisht e papranueshme” që ndonjë predhë apo raketë të arrijë në tokën iraniane.
Komentet e tij kanë ardhur pas raportimeve se disa predha kanë arritur në disa fshatra në Iran, nga kufiri verior që ndan më Armeninë dhe Azerbajxhanin.
Komandanti iranian për Mbrojtje Kufitare, Qasem Rezaei ka thënë se forcat e tij kanë krijuar “formacione të nevojshme” përgjatë zonës së luftimeve.
“Prej nisjes së konfliktit… një numër predhash dhe raketash kanë qëlluar territorin tonë”, është cituar të ketë thënë ai sipas agjencisë së lajmeve, Tasnim.
“Rojet tona kufitare janë duke vëzhguar dhe kanë krijuar formacionet e duhura. Ne jemi duke monitoruar dhe duke kontrolluar plotësisht kufijtë”, ka shtuar mes tjerash ai.
Dy ish-republikat sovjetike, Azerbajxhani dhe Armenia, kanë zhvilluar një luftë për rajonin e Nagorno Karabakut më 1988-1994, e cila ka lënë rreth 30,000 njerëz të vrarë.
Është e paqartë se çfarë i ka shkaktuar luftimet e fundit./ REL