Ardhja e delegacionit të Kongresit amerikan në Kosovë dhe Luginën e Preshevës po cilësohet si një mesazh i mbështetjes së vazhdueshme të Shteteve të Bashkuara të Amerikës për shqiptarët në rajon dhe për perspektivën euroatlantike të Kosovës.
Delegacioni, i përbërë nga kongresmenëve amerikanë Keith Self dhe Suhas Subramanyam, po zhvillon vizitë në rajon me kërkesë të organizatës Albanians for America.
Sipas vlerësimeve të bëra gjatë vizitës, kjo paraqet një dëshmi të angazhimit të vazhdueshëm amerikan për paqen, stabilitetin dhe të drejtat e shqiptarëve në Ballkan, në një periudhë kur rajoni përballet me sfida të shumta politike dhe të sigurisë.
Vizita vjen në një moment të rëndësishëm për Kosovën, pak para proceseve të reja politike dhe zgjedhore, ndërsa është theksuar se marrëdhëniet me SHBA-në mbeten kyçe për rrugëtimin euroatlantik të vendit.
Pjesë e rëndësishme e agjendës ishte edhe vizita në Luginën e Preshevës, ku kongresmenët amerikanë u njohën nga afër me shqetësimet e shqiptarëve atje, përfshirë pasivizimin e adresave, diskriminimin institucional dhe mungesën e përfaqësimit të barabartë.
Vizita është krahasuar edhe me atë të delegacionit amerikan të udhëhequr nga senatori Bob Dole në vitin 1990 në Kosovë, e cila konsiderohet si një moment historik që ndikoi në ndërkombëtarizimin e çështjes së Kosovës.





