Tensionet mes Izraelit dhe Iranit janë përshkallëzuar edhe më shumë mëngjesin e sotëm, pasi Teherani ka sulmuar për herë të parë drejtpërdrejt trupat Izraelite. Forcat iraniane gjuajtën 20 raketa nga Siria në pozicionet ushtarake në lartësitë e maleve Golan.

 

Disa prej tyre u rrëzuan në ajër, ndërsa të tjera goditën pozicionet e ushtrisë izraelite, por pa shkaktuar viktima. Episodi i fundit përforcon parashikimet e ekspertëve për një përballje të mundshme ushtarake mes Izraelit dhe Iranit.

 

Në fillim të javës, Izraeli bëri të ditur se kishte vënë re aktivitet të çrregullt të ushtrisë iraniane në Siri. Për këtë arsye, forcat izraelite u vunë në gatishmëri në kufi dhe për herë të parë që prej fillimit të Luftës Civile në Siri, Izraeli hapi vendstrehimet për civilët.

 

Ushtria izraelite gjithashtu tha se reagoi shumë ashpër pas raketave iraniane dhe bombardoi dhjetëra baza iraniane në Siri.

 

Shkëmbimi i zjarrit erdhi më pak se një ditë pasi Presidenti i SHBA, Donald Trump u tërhoq nga marrëveshja atomike e Iranit e vitit 2015 që heq sanksionet mbi Teheranin në këmbim të një ndalimi në programin e tij bërthamor.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *