Subscribe

Rikualifikimi urban me investime nga fondet e Bashkisë Tiranë po depërton edhe në zonën e Saukut. Kryetari i Bashkisë Erion Veliaj, i shoqëruar nga deputeti socialist Besnik Baraj, inspektoi fillimin e punimeve, nga ku tha se puna do të vijojë me ritme të shpejta gjatë gjithë verës.

 

 “Kjo verë ka qenë e gjitha në punë për Bashkinë e Tiranës. Ky është një investim i cili po bëhet me forcat e bashkisë, një mënyrë për të treguar se kur bashkia menaxhohet në mënyrë nikoqire, megjithëse taksat i kemi modeste, megjithëse shpenzimet i kemi të larta, arrijmë të bëjmë gjëra që nuk janë bërë prej shumë vitesh. Ndaj mezi pres që t’i shkojmë kësaj pune deri në fund dhe deri në fund të verës, kur edhe banorët të jenë kthyer nga pushimet, të kemi mbaruar Rr. “Osma.”

 

Problem mbeten zaptimi i hapësirave të përbashkëta. Ndaj kreu i Bashkisë kërkoi bashkëpunimin e banorëve për lirimin e tyre, pasi bëhen pengesë në realizimin e projekteve që kanë rëndësi për të gjithë komunitetin.

 

 “Dua t’u kërkoj bashkëpunim të gjithë banorëve. Sa herë që qytetarët shohin një trotuar të ngushtë, do të thotë se na është refuzuar bashkëpunimi nga banori që ka shtëpinë aty ngjitur. Sigurisht, me procedura shpronësimi apo me sherre në komunitet asnjë nuk do që t’i futet këtyre andrallave, ndaj edhe kërkoj bashkëpunim.”

 

Gjatë inspektimit të punimeve, Veliaj tha se investimi është tregues i vizionit të Bashkisë së Tiranës për të investuar edhe në nivel kapilar në çdo lagje, për përmirësimin e infrastrukturës. Ai siguroi se ky ritëm investimesh do të mbahet në çdo lagje të kryeqytetit.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *