Bashkëpunëtori i drejtësisë, Artan Tafani, që dikur i ka shërbyer bandës së Laert Haxhiut, dëshmoi në Gjykatën e Posaçme se si i vendosi tritol lokalit dhe dyqanit të Rigels Rajkut, reperit të njohur si Noizy. Ai tha se u urdhërua nga kreu i bandës, Laerti, në mbrojtje të shokut, reperit tjetër, Kleviol Ahmetajt, i cili kishte probleme me Noizyn.
“Laerti e ndoqi nga TikTok, që Klevioli ishte zënë me Noizy-n, kishte shkuar në Durrës, ku e kishin goditur. Unë flisja edhe me vëllain e Laertit, i thashë do i vëmë tritol Noziyt. Ai na tha, është turp, ça thoni. Mos e bëni. Një moment tjetër Laertin e mori e ëma në telefon nga Gjermania. Po i thoshte, gjynah, si e goditën Kleviolin. Edhe motra po ashtu. Aty Laerti sikur u vu në sedër. Kur e merrte e ëma dhe motra ai nxihej. Aty na tha pastaj, shkoni bëjeni shpejt. Vendoseni tritolin”, tha Artan Tafani, bashkëpunëtor drejtësie.
Sapo morën vendimin për të shpërthyer tritolin, ata u nisën nga Astiri në Durrës për të vendosur eksplozimin në pronën e reperit më 8 qershor 2022 në orën 3.00 të mëngjesit.
“Në shtëpi ishim unë, Lulzim Spahiu e Laertin. Unë e Lulzimi bëmë makinën gati, tritolin e kishim në shtëpi. E kishim marrë në Tepelenë. Bëmë gati 1 kg, i ngjitëm me skoç, se i patëm ne tulla 200-300 gramëshe. Unë shkova aty, por nuk po gjeja shkallët nga hipej. Laerti tha t’ia hedhim në lokal Noizy-t. Lokali ishte në kat të dytë dhe kishte xhamat hapur. Si përfundim i thashë, ta vë tek dyqani poshtë, dyqani i rrobave. Mirë tha, Laerti, aty vendoseni. E vendosa te dera, ndeza fitilin edhe ika te makina. Sa jemi larguar te shinat, një si kanal a urë, pa dalë në rrugë kryesore, dëgjuam shpërthimin”, shtoi Tafani.
Të mërkurën në gjykatën antikorrupsion dëshmoi i ati i Noizyt, bashkë me motrën e tij. Ndërsa në 28 maj pritet të dëshmojë vetë reperi dhe Kleviol Ahmetaj, me të cilin sipas bashkëpunorit të drejtësisë Noizi ishte në konflikt.





