Për herë të tretë në sfidat derbi të luajtura këtë sezon, dueli i madh Milan-Inter u vendos vetëm në fund. Kështu ndodhi edhe kur Milani, përmes një goli të Gabias, mundi Interin 2-1 në fazën e parë. Kështu ndodhi edhe në Superkupë, ku një gol i Abraham në shtesë i dha mundësi kuqezinjve të fitonin trofeun. Kështu ndodhi edhe këtë të diel në duelin e fazës së dytë të kampionatit italian, ku një gol i Stefan De Vrij në minutën e 93-të i ngriu buzëqeshjen Milanit dhe milanistëve.
Interi, në fakt, nuk vodhi asgjë me këtë barazim, pasi goditi tre herë shtyllën në pjesën e dytë… Madje, referuar deklaratave të pas-ndeshjes, zikaltrit ndjehen të vjedhur në këtë derbi. Episodi më i kontestueshëm i ndeshjes ishte ai i minutës së 70-të, kur Pavlović pati një kontakt me Thuram brenda zonës së Milanit, mirëpo Daniele Chiffi, gjyqtari kryesor, vazhdoi lojën. Për episodin nuk ndërhyri as sistemi VAR, i krijuar për të korrigjuar vendimet e gjyqtarëve në fushë.
“Skuadra ia doli të barazojë edhe pse pati kundër episode dhe detajet e ndeshjes… tre gola të anuluar, tre shtylla dhe një penallti e padhënë në mënyrën më të pashpjegueshme të mundshme. Nuk ka nevojë ta rishoh kontaktin Pavlović-Thuram, sepse sa herë që e shoh, keqardhja dhe zhgënjimi janë edhe më të mëdha. Është një episod tmerrësisht i keq dhe ajo që më shqetëson është që situata të tilla në kurrizin tonë nga gjyqtarët dhe VAR-i po ndodhin shpesh, ndaj tani është e domosdoshme të ngremë zërin për këto gjëra,” deklaroi me një tonalitet agresiv pas ndeshjes trajneri Simone Inzaghi.
Kjo gjë u përforcua edhe nga protagonisti i episodit, sulmuesi francez Marcus Thuram. Si për ironi të fatit, Daniele Doveri, gjyqtari kryesor që ishte në sallën e sistemit VAR në këtë episod të kontestuar, është caktuar të drejtojë ndeshjen e prapambetur të datës 6 shkurt kundër Fiorentinës në Artemio Franchi. Impenjim jo i lehtë për Doverin nga ambienti interist pas këtij episodi në derbi.





