Subscribe

Temperaturat më të larta se zakonisht për stinën e dimrit po ndikojnë kulturat bujqësore.

 

Prej motit të ngrohtë, pemët e frutave kanë filluar të çelin lule më herët, ndërsa gruri po merr zhvillim të madh, duke vënë në rrezik prodhimin.

 

ALBAN ÇAKALLI

EKSPERT PER BUJQESINE

“Sidomos te pemtoret është shumë problem për shkak se shumë pemë kanë filluar të çelin, që nuk është sezoni i qershisë për të çelur. Ka filluar edhe thana, edhe bimë të tjera kanë filluar të nxjerrin gjethe apo lulet prodhuese. Pemëtoret e kanë shumë të nevojshme ngricën në këtë sezon, arrorët, bërtahmorët, sepse çdo syth i kësaj peme do temperature të ulëta që të piqet sythi dhe më pas të kemi sezon të mbarë. Nëse gjatë prillit do të kemi ngrica dhe bimët i gjen të papërgatitura mund të ndodhë siç ndodhi para 3-4 vitesh kur shumica e pemëve u thanë dhe pjesa tjetër humbën prodhimin dhe kjo do të ndikojë që të kemi më pak prodhim. Te gruri është shumë problem sepse do të kemi zhvillim vegjetativ jashtëzakonisht të madh dhe nëse do të ketë reshje gjatë sezonit të pranverës, bima nuk do të qëndrojë dot vertikalisht, do të rrëzohet dhe mund të kemi një humbje afërsisht 30-40% të grurit.”

 

Nga ana tjetër, temperaturat e larta po nxisin një prodhim më të hershëm të perimeve, duke bërë që në treg të kemi domate më herët nga sa jemi mësuar.

 

ALBAN ÇAKALLI

EKSPERT PER BUJQESINE

“Tek perimet sjell mirë, këtë vit për shembull mund të kemi domate në mars, nga prilli që jemi mësuar. Por ndoshta kjo mund të jetë problem nga ana tjetër sepse nuk ka korrespodon sasia për të eksportuar sepse Shqipëria eksporton në muajin prill dhe këtë vit mund të kemi prodhim edhe më herët. Hershmëria e tepërt mund të ndikojë që të mos kemi avantazhet e tregut për eksporte.”

 

Në kushte të tilla, prej mungesës së ngricave gjatë dhjetorit dhe në ditët e para të janarit insektet në kulturat bujqësore po shtohen.

 

 

ALBAN ÇAKALLI

EKSPERT PER BUJQESINE

“Do të jetë problem për insektet sepse ngrica gjatë janarit është një cikël që dëmton pjesën më të madhe të dëmtuesve, por këtë vit do të kemi më shumë insekte, më shumë dëmtime dhe fermerët do të detyrohet të përdorin më shumë preparate për t’i luftuar.”

 

ARBEN DULELLARI

DREJTOR I BUJQESISE, BASHKIA MALIQ

 

“Në kultura të ndryshme bujqësore kemi shtim të sëmundjeve dhe dëmtuesve. Kemi dëmtues të rinj të patateve, të misrit. Fermerët duhet të përshtasin kultivarë që i rezistojnë kushteve të disfavorshme, siç janë temperaturat e larta, thatësira e zgjatur, të mbjellin më herët që bima të rritet më e fuqishme dhe fazat delikate t’i kalojë më herët, me cikël më të shkurtër.”

 

Me shtimin e insekteve, fermerët do të detyrohen të përdorin më shumë pesticide për luftimin e tyre, por ekspertët bëjnë thirrje që përdorimi i tyre të jetë i kujdesshëm.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *