Prokuroria e Elbasanit ka hedhur një tjetër hap në lidhje me hetimet në inceneratorin e qytetit, duke u rikthyer te ky objekt sot në mesditë, e mbështetur nga forcat e policisë.
Sipas burimeve zyrtare, grupi hetimor ka zhvilluar veprime dhe ka kryer një inspektim të detajuar të landfillit të Elbasanit, pas një denoncimi të mbërritur kohë më parë në SPAK.
Hetimi lidhet me ngjarjen e ndodhur në korrik të vitit 2023, kur një zjarr i përmasave të mëdha përfshiu fushën e mbetjeve, duke sjellë hapjen e një çështjeje penale për veprat penale të “Shkatërrimit të pronës me zjarr” dhe “Ndotje të ajrit” .
Ndërkohë, Prokuroria po shqyrton edhe përgjegjësinë e kompanisë “Eco Alb” për veprën penale të “Shpërdorimit të detyrës”.
Kjo shoqëri është e krijuar nga të 7 bashkitë e qarkut, ku peshën më të madhe e ka bashkia e Elbasanit.
Autoritetet po hetojnë shkaqet e zjarrit dhe ndikimin e tij në mjedis, si dhe mundësinë e keqmenaxhimit apo abuzimeve me detyrën nga ana e përgjegjësve të inceneratorit.
Ky hetim ka ngritur shqetësime të shumta mbi pasojat mjedisore dhe transparencën e menaxhimit të këtij objekti, i cili ka qenë në qendër të debateve për mënyrën e funksionimit dhe eficencën e tij./vizionplus.tv





