Subscribe

Kreu i qeverisë së Belgjikës mbërriti në Tiranë për të dhënë mbështetjen ndaj procesit të integrimit evropian të Shqipërisë.

 

Reformat e ndërmarra dhe thellimi i tyre, sidomos ajo në sistemin e drejtësisë ishte kryefjala e qëndrimit të tij, gjatë takimit me kryeministrit Rama. Për Charles Michel, afrimi me Bashkimin Europian nuk duhet të jetë një proces fasadë.

 

“Vizita ime në Shqipëri nuk është një rastësi. Pranova ftesën për të dhënë një sinjal nga ana e BE, një sinjal miqësie, respekti, vlerësimi për përpjekjet e rëndësishme që janë kryer. Njëkohësisht është e rëndësishme që fillimi i një procesi anëtarësimi nuk është pika e mbërritjes, por është vetëm fillimi, mundësia për të nxitur reforma shtesë dhe ky përafrim duhet të konkretizohet hap pas hapi. Në procesin e vendimmarrjes në gjirin e Bashkimit Europian duhet respektuar kalendari i përcaktuar. Nuk mund të vendos qerren përpara kaut. Por  në tryezën e Bashkimit Europian do te jepet një mesazh vullneti, e mbështetjeje e përpjekjeve. Unë bëj pjesë tek ata që mendojnë se duhen njohur përpjekjet e kryera, duhen nxitur ato dhe mos te kërkohen përpjekje pa pasur vijim pa u ndjekur vazhdimësia e tyre me rezultate të dukshme”.

 

I pyetur nga Vizion Plus mbi mundësinë e një turi të përbashkët me kundërshtarin politik Lulzim Basha, për të bindur vendet anëtare për vendim pozitiv mbi çeljen e negociatave, Rama u shpreh i gatshëm.

 

Kryeministri ripërsëriti qëndrim se Shqipëria meriton çeljen e negociatave për anëtarësim.

 

Kryeministri belg më pas është takuar edhe me presidentin e Republikës Ilir Meta, me të cilin diskutoi mbi procesin e integrimin europian, si dhe forcimin e bashkëpunimit mes dy vendeve.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *