Kandidatja për deputete, Jorida Tabaku reagoi pak minuta para se Partia Demokratike të nisë zyrtarisht fushatën elektorale.

 

Përmes një postimi në “Facebook”, Tabaku tha se ky është një shans për shqiptarët që të rrëzojnë të keqen, duke ju referuar këtu qeverisë socialiste.

 

Sipas saj, nga këto zgjedhje varet e ardhmja e Shqipërisë.

 

“Si kurrë më parë, që prej zgjedhjeve të marsit ‘92, kjo fushatë nis sot duke vënë përballë jo dy forca politike, jo dy filozofi, jo dy alternativa, por dy botë të ndryshme. Qytetarët shqiptarë janë ftuar edhe njëherë për të rrëzuar të keqen që u ka zënë rrugën e mirëqënies, prosperitetit, integrimit, qetësisë. Këto zgjedhje nuk janë për largimin e një force politike dhe pushtetin e një force tjetër, për një kryeministër apo një tjetër, por janë për qytetarët e zakonshëm, për t’u dhënë më në fund atyre mundësinë te vendosin për veten, për familjen e tyre, për vendin që lëngon nga krimi, korrupsioni, arroganca e injoranca. Këto zgjedhje janë për familjet e ndershme që duan ta ndërtojnë këtu të ardhmenn dhe ata mund ta vendosin tani fatin e tyre, duke e ndarë atë nga fati i një grupi që i ka plaçkitur duke u futur duart në xhep me çdo koncesion apo tender korruptiv, me çdo punësim partiak e të pamerituar, me çdo zaptim të hapësirave publike për llogari të një grushti të babëziturish. Këto zgjedhje janë për fermerët, prodhuesit, tregtarët, sipërmarrësit, mësuesit, mjekët e infermierët, policët,  artistët, intelektualët, studentët, rininë, të moshuarit, gratë e burrat e ndershëm e punëtorë, shoqërinë civile e mbarë shoqërinë tonë. Secili prej nesh ka sot në dorë të zgjedhë: ose për të ndërtuar botën e tij të shpresës e mundësive ose për të shuar ëndrrat e brezave që po vijnë.”

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *