Në Tiranë u nënshkrua “Memorandumi i mirëkuptimit” për hapjen e kampusit të Kolegjit të Evropës, i cili është një nga institucionet kryesore në zhvillimin dhe promovimin e projektit europian dhe që do të vendoset te Piramida.

 

Kryebashkiaku Erion Veliaj, së bashku me ministren e arsimit, Ogerta Manastirliu dhe rektoren e Kolegjit të Europës, Federica Mogherini, u shpreh mirënjohës për faktin se Tirana është përzgjedhur mes shumë qyteteve europiane.

 

“Këtë vit jemi Qyteti Europian i Sportit dhe më vjen mirë që, në këto dy vite ku ne kemi qenë një Kryeqytet Europian në një nga këto tema kryesore, si rinia dhe sporti, praktikisht po mbyllim vitin me një superlajm. Kështu që, jam vërtet mirënjohës që keni zgjedhur Tiranën! Do të jetë një nga tre kampuset, pas Bruzhit dhe Natolinit, dhe besoj do të jetë kampusi më energjik dhe më entuziast, ku do të kemi edhe shumicën e kërkesave për një qytet si Tirana që është “afër detit, afër mbretit”, një qytet plot jetë, tha Veliaj.”

 

Veliaj tha  gjithashtu se vendi ynë me hapjen e Kolegjit të Europës në Tiranë, po bën një tjetër hap drejt Shqipërisë evropiane.

 

“Ne duhet të kuptojmë për çfarë është Bashkimi Europian, ne Bashkimin Europian duhet ta kryejmë këtu. Ka qenë insistimi i kryeministrit që, pjesë e konceptit tonë për të bërë një Shqipëri europiane është edhe prania e institucioneve europiane. Pra, edhe këmbëngulja e tij për të pasur Kolegjin e Europës këtu, ka qenë diçka që ne si Bashki e kemi përqafuar dhe mezi presim të kthehet në histori suksesi.”

 

Tre palët e nënshkruan Memorandumin në prezencë edhe të Komisionerit të Bashkimit Europian për Fqinjësinë dhe Zgjerimin, Oliver Varhelyi.

 

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *