Subscribe

Ndërsa e gjithë Europa është në karantinë për shkak të pandemisë së Covid-19, grupet ekstremiste po shfrytëzojnë situatën për sulme terroriste, përfshirë dhe Shqipërinë. Katër  persona të dyshuar si pjesë e një celule kriminale janë vënë në pranga këtë të mërkurë në Gjermani. 

Prokuroria e Përgjithme Federale bëri të ditur se të dyshuarit ishin ekstremistë islamikë nga Taxhikistani dhe ata u arrestuan në landin e Vestfalisë. Së bashku me një person të pestë, i cili ndodhet  në paraburgim, organizata kishte planifikuar sulme në Gjermani në emër të ISIS.

Shënjestra e këtij grupi terrorist ishin objektet e bazave të Forcave Ajrore Ushtarake Amerikane në Gjermani, por edhe individë të caktuar. 

Të gjithë anëtarët e bandës kriminale i janë bashkuar ISIS-it në Janar të vitit 2019 dhe kishin kontakte me dy udhëheqës të lartë të organizatës në Siri dhe Afganistan, nga të cilët merrnin udhëzime.

Njeri prej tyre, i identifikuar si Ravsan B. kishte marrë një urdhër për të bërë një vrasje në Shqipëri, por ekzekutimi sipas autoriteteve, dështoi. Për këtë sulm, terroristi nga Taxhikistani do të paguhej 40 mijë euro. 

  Mediat gjermane madje sqarojnë se Ravsan B. ka qenë në Shqipëri bashkë me shokun e  tij Sunatullokh K. për të kryer sulmin, por nuk e realizoi dot.  

Ndërkohë, personi i pestë, i cili ndodhet në paraburgim që nga Marsi 2019 ka luajtur një rol kyç në këtë organizatë kriminale pasi planet për sulmet e planifikuara kishin stopuar pas arrestimit të tij një vit më parë.

Pesë të dyshuarit nga Taxhikistani i përkasin moshave nga  24 deri 32 vjeç.

Për të financuar planet e tyre, të akuzuarit mblidhnin para në Gjermani dhe i transferonin për llogari  të ISIS përmes agjentëve financiarë të vendosur në Turqi. 

Ministri i brendshëm i Vestfalisë, Herbert Reul  deklaroi se “tre prej tyre u klasifikuan si të rrezikshëm, dhe planet e tyre ishin tejet serioze“. Ndërsa në aksion për kapjen e tyre u angazhuan 350 forca policie.

Nuk dihet nëse autoritetet shqiptare kanë dijeni mbi këtë grup terrorist dhe lidhjet me Shqipërinë, por ky nuk është rasti i parë që vendi ynë përfshihet në plane të kësaj natyre. Pak vite më parë shërbimet sekrete arrestuan në Shkodër dhe Tiranë një grup personash, të cilët  u akuzuan për hartimin e një sulmi terrorist në ndeshjen Shqipëri – Izrael. / Vizion Plus

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *