Subscribe

Ministrat e Jashtëm të Bashkimit Europian janë mbledhur për herë të fundit nën presidencën gjermane; por çështja e Shqipërisë dhe Maqedonisë së Veriut as nuk është përfshirë në axhendë.

Gjermani në qershor shprehu vullnetin për të miratuar kuadrin negociues e për të zhvilluar konferencën e parë ndërqeveritare me dy vendet tona brenda këtij viti, dhe pavarësisht se ky duket një kapitull i mbyllur, nga Berlini ka mbërritur edhe një apel i fundit para nisjes së mbledhjes së ministrave.

 

MICHAEL ROTH

MINISTER PËR EUROPËN, GJERMANI

 

“Ne si drejtues të Presidencës së Këshillit të Bashkimit Evropian, po bëjmë gjithçka që është në mundësinë tonë që sa më shpejt, të arrijmë unitet për organizimin e konferencave ndërqeveritare për anëtarësimin e Maqedonisë e Veriut, e pas plotësimit të pak kushteve të mbetura, edhe me Shqipërinë. Çdo zgjidhje tjetër do të ishte një gabim politik tepër i rëndë, që do të cënonte stabilitetin dhe sigurinë në Ballkanin Perëndimor, e kjo do të cënonte në mënyrë masive edhe sigurinë në Evropë dhe për këtë duhet të jenë të gjithë të vetëdijshëm.”

 

Bullgaria vendosi veton kundër Maqedonisë së Veriut ndërsa për Shqipërinë përveç kushtit për një gjykatë kushtetuese funksionale ka pasur disa vende skeptike; dhe dy mbledhje të ambasadorëve të BE nuk sollën asnjë vendim pozitiv për dy vendet.

Nga ana tjetër 20 eurodeputetë firmosën një deklaratë në mbështetje të Shqipërisë dhe Maqedonisë së veriut të cilët bënë thirrje për fillimin e bisedimeve brenda këtij viti duke paralajmëruar se bllokimi i procesit po cënon besueshmërinë e Bashkimit Europian tek vendet e Ballkanit Perëndimor.

Por pavarësisht këtyre apeleve; Shqipëria e Maqedonia e Veriut duhet të presin marsin dhe presidencën portugeze për të marrë ose jo dritën jeshile për konferencën e parë ndërqeveritare.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *