Një nga evenimentet më të rëndësishëm të çiklizmit, ‘Giro d’Italia’, zbarkon në Shqipëri ku për tre ditë radhazi, më 9, 10 dhe 11 maj 184 çiklistë do të përshkruajnë itinerarin e përcaktuar në Tiranë, Durrës dhe Vlorë.
Policia e Tiranës ka bërë publike rrugët që do të bllokohen në mënyrë që qytetarët të shmangin lëvizjet me mjetet e tyre në këto akse, pasi do të bllokohet qarkullimi.
Ndalimi i lëvizjes si dhe parkimit të mjeteve është përcaktuar me fasha orare nga 08:00 deri në 18:00.
Ditët e premte qarkullimi nuk do të lejohet nga fshati Gracen deri në Sauk, për të vijuar vijuar me bulevardin Zhan D’Ark, Rrugën e Elbasanit, akset në afërsi të qendrës e deri në Fresk.
Ndërkohë që policia ka përcaktuar edhe akse të tjera alternative për kalimin e makinave.
Bllokim të automjeteve do të ketë edhe në datën 10 maj, kryesisht rrugët e bllokuara janë në qendër të Tiranës, rruga e Elbasanit e deri te Zogu i Zi. Të bllokuara janë dhe disa rrugë lidhëse në këto zona.
Evenimenti Giro D’italia ndahet në tre tapa. Ai nis në datën 9 nga Durrësi drejt Tiranës, në datën 10 çiklistët do të garojnë në kryeqytet, ndërsa etapa e tretë të dielën e 11 majit, zhvillohet në Vlorë.
Edhe pse kjo e dielë përkon me ditën e zgjedhjeve parlamentare, policia shprehet se përmes rrugëve alternative, do të sigurohet që çdo qytetar të mos pengohet drejt qendrave të tyre të votimit./vizionplus.tv





