Sot nis edicioni i tretë i “Ferma VIP” në Vizion Plus, dhe dy nga surprizat më të mëdha janë prezenca e Einxhel Shkira dhe Ermal Mamaqi në rolin e opinionistëve. Të dy sjellin perspektiva të ndryshme, por të njëjta në pasionin për programin dhe respektin për lojtarët.
E ftuar në “Mes’Dritë” në Vizion Plus, Einxhel Shkira ndau emocionet e para.
“Do të mundohem të jem sa më korrekte dhe pa krijuar situata denigruese. Asyeja pse nuk do të jem unë ‘kripa’, sepse, ndryshe nga dy opinionistët e tjerë, unë e kam provuar vetë presionin e izolimit. Do të mundohem të jem sa më korrekte me fermerët, pa gënjyer audiencën që pret analiza të drejta, dhe pa krijuar situata denigruese.”
Ajo gjithashtu tregoi se ftesa erdhi papritur, por ndihet përgjegjëse për pritshmëritë e publikut:
“Isha e dyzuar për shkak të largësisë dhe fëmijëve, por njerëzit e kanë kërkuar këtë çdo sezon. Ndjej një përgjegjësi shumë të madhe nga pritshmëritë e audiencës. Tashmë ‘xhaketa’ më është bërë pak e rëndë.”
Ermal Mamaqi rikthehet pas 15 vitesh në Vizion Plus dhe premton një stil unik, që kombinon humorin me etikën.
“Do të jem opinionisti pozitiv“, tha aktori në Mes’Dritë.
“Do të vij në karakterin tim. Nuk do të mungojnë batutat dhe humori, por gjithmonë duke ruajtur etikën. Nuk do të bëj atë që bëjnë shpesh televizionet, duke i vënë konkurrentët në siklet vetëm për të prodhuar lajme apo emocione negative. Do të jem opinionisti pozitiv.”
Të dy opinionistët e rinj shprehen se raporti me moderatorët dhe produksionin është i shkëlqyer:
Einxhel Shkira: “Arbana dhe Edi janë gjeneratorët e gjithë kësaj. Na kanë dhënë dorë të lirë të jemi vetvetja në studio. Nuk duam të ndikojmë në lojën e fermerëve apo t’u japim informacione, por do të japim opinionet tona për publikun.”
“Me pjekurinë, fillon e vlerëson kolegun për të mirat që ka. Hera e parë që kam punuar me Arbanën ka qenë në vitin 2003, por tani është një bashkëpunim i këndshëm dhe profesional”, shprehet Ermali.
Sonte në orën 21:00, Einxhel Shkira, Ermal Mamaqi dhe Armina Mevlani do të zbresin në Ferma VIP 3 për të sjellë një kombinim të “kripës, piperit” dhe humorit pozitiv që pritet të bëjë diferencën në komentet e tyre për lojtarët.
/vizionplus.tv





