Interesi i fermerëve për të kultivuar grurë po bie. Në sezonin e mbjelljes, fermerët e fushës së Maliqit pohojnë se këtë vit do të kultivojnë më pak sepse mungon tregu i shitjes. Ata shprehen të pakënaqur me çmimin e shitjes, 25 lekë për kg, që për ta nuk siguron fitim.
“Kostoja është e lartë dhe çmimi është i ulët. Kemi edhe të vjetshmen, rreth 200 kuintal, as prodhimin e këtij viti nuk e kemi shitur. Nuk do të blejmë farë të re, do të mbjellim atë që kemi. Do të m,arrim më pak prodhim. Nuk ka interes, edhe mbështetja e shtetit është zero. Nuk ka kërkesë që të vijnë dhe ta shesin prodhimin. Është viti i dytë ky, vjet shitëm pjesë-pjesë, vijnë e kërkojnë me 22 lekë”, thotë fermeri Totila Orhan.
“Nëse do të bëjmë krahasimin me dy vite më parë, sipërfaqja e mbjellë me grurë ka rënë sepse dy vite më parë kishim një subvencion për mbjelljen me grurë. Fermerët u tërhoqën sepse ishte kostoja më e lartë”, shprehet Aurel Zenullari, specialist i Bujqësisë.
Prodhimi i mbetur stok, kostoja e lartë dhe çmimi i ulët i shitjes po pengon edhe fermerët e Fierit të mbjellin grurë në të njëjtën sipërfaqe me vitin 2022, kur morën mbështetje 30 mijë lekë për hektarë nga Ministria e Bujqësisë.
“Është situatë kritike, mundohemi përpiqemi, por edhe nuk kemi çfarë bëjmë se nuk e lëmë dot. Çmimet janë gpoxha të larta, blerjet e pesticidve që marrim, janë të vështira për t’u përballuar. Problemin më të madh sot e kemi te pjesa e shitjes, është përtokë. Para 2 vitesh u gënjyem se u shit gruri me 50, këtë vit po e shesim me 25. Të paktën të jetë 35-40 lekë, duke parë çmimet e plehrave që ne po marrim. Se kështu vetëm sa po gjendemi në punë. Do të vazhdoj të bëj provë, por këtë vit besoj do të mbjell 10% më pak”, thotë fermeri Ermir Cuni.
“Do të vijojmë për shkak të asaj që kemi krijuar, për shkak të tokave të marra me qira, por jo se kemi fitim, na ka marrë rrjedha e lumit tani dhe do të punojmë me patjetër. Kemi 4 vite që biem nën kosto, sivjet e shitëm me një vlerë shumë minimale”, shprehet fermeri Mili Sako.
“Ne vazhdojmë sepse qiratë e tokave i kemi paguar, por kemi 4 vite rresht që biem nën kosto, nuk po marrim dot lekët tona. Flasin tregtarët, vijnë, tallen me mallin”, thotë Vilson Sika, fermer.
Tregtarët nga ana tjetër shpjegojnë se gruri që marrin nga fermerët vendas është në sasi të pakta për shkak të cilësisë, por edhe të çmimit.
“Sasitë që janë marrë janë të vogla sepse prodhimi ynë është rreth 200 mijë tonë, ku përfshihet edhe ushqimi që e kanë për konsum fshatarët. Kemi marrë në zonën e Lushnjes, Fierit, Korça. Malli që ka qenë cilësor dhe me çmim të arsyeshëm është marrë. Ka akoma, por sipas anëtarëve të shoqatës tonë është grurë jocilësor. Ne e kemi të pamundur të konkurrojmë me grurë importin. Prodhimin e fermerëve e kemi blerë me 25, 27, 30 lekë, varet nga cilësia. Por nëse malli nga jashtë vjen me 30, 32 lekë, brenda kemi edhe TVSH. Kur shet grosisti jonë miellin këtu, paguan vetëm diferencën e TVSH. Ndërsa kur ja merr fshatarit, ai nuk ka TVSH. Kur vjen nga importi, bëhet diferenca në shitje”, thotë Theodhor Kristuli, nga Unioni Tregtar Agroushqimor.
Sipas të dhënave të INSTAT, në vitin 2023 sipërfaqja e kultivuar me grurë në vend ishte afro 57 mijë hektare. Nga këto, 14 mijë ha janë mbjellë vetëm në Qarkun e Korçës, por këtë vit, të dhënat nga terreni flasin për një sipërfaqe prej 2 mijë hektarësh më pak. /vizionplus.tv