Ish-deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Haki Abazi, ka dorëzuar një kallëzim penal në Prokurorinë Speciale të Republikës së Kosovës ndaj kryeministrit në detyrë, Albin Kurti, si dhe ndaj zyrtarëve të tjerë, duke ngritur pretendime për tre vepra penale.
Sipas dokumentit të publikuar nga vetë Abazi, kallëzimi lidhet me pretendime për “keqpërdorim të pozitës apo autoritetit zyrtar”, “pengim të funksionimit të institucioneve kushtetuese” dhe “mosekzekutim të vendimeve gjyqësore”.
Në kallëzim pretendohet se Kurti, duke mbajtur njëkohësisht detyrën e kryeministrit në detyrë dhe mandatin e deputetit, ka refuzuar të përmbushë detyrimet kushtetuese që lidhen me konstituimin e Kuvendit.
Abazi pretendon gjithashtu se Kurti nuk ka zbatuar vendime të Gjykatës Supreme dhe ka vepruar në kundërshtim me parimin e ndarjes së pushteteve.
Sipas dokumentit, situata e krijuar në Kuvend është përdorur si një strategji për të krijuar një “pat-pozicion” kushtetues dhe për ta çuar çështjen në Gjykatën Kushtetuese.
“Sot dorëzova kallëzim penal pranë Prokurorisë Speciale të Republikës së Kosovës kundër Albin Kurtit dhe zyrtarëve të tjerë për tre vepra penale të konsumuara!”, shkroi Abazi.





