Në festimet e Ditës së Europës me 9 Maj, presidentja e Komisionit Europian, Ursula von der Leyen ka mbërritur në Kiev. Ajo do të  takohet  me presidentin Volodymyr Zelensky ku do të theksojë mbështetjen e pakufizuar të BE për Ukrainën në luftë kundër Rusisë. Von der Leyen e viziton kryeqytetin ukrainas, Kiev për herë të pestë që nga fillimi i sulmit rus para 14 muajsh.

 

“Prezenca ime në Kiev, sot më 9 Maj është një simbol i rëndësishëm.Bukur të jesh sërish në Kiev. Aty ku vlerat që për ne janë të rëndësishme mbrohen çdo ditë”,  shkruan Von Der Leyen.

 

Dita e Europës nuk përkujton vetëm fundin e Luftës së Dytë Botërore dhe fitoren ndaj Gjermanisë naziste, por ajo shenjon edhe përvjetorin e Deklaratës së Schumanit. Më 9 Maj 1950 ministri i atëhershëm i Jashtëm i Francës, Robert Schuman propozoi një deklaratë për të bërë të pamundur më luftën mes vendeve europiane.

 

Në Deklaratën e Schumanit kërkohej krijimi i një Bashkësie Europiane të Qymyrit dhe Çelikut, ku anëtarët do të bashkonin prodhimin. Kjo deklaratë konsiderohet edhe si ora e lindjes së bashkimit europian. Anëtarët themelues të bashkësisë ishin Franca, Gjermania, Italia, Holanda, Belgjika dhe Luksemburgu.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *