Policia e Sarandës ka arrestuar 31-vjeçarin Klaus Jaçaj, i cili ishte shpallur në kërkim në lidhje me ngjarjen e rëndë të ndodhur më 17 korrik 2025 në qytetin bregdetar, ku dy persona mbetën të plagosur me armë zjarri.
Jaçaj akuzohet për “Përkrahje të autorit të krimit” dhe “Moskallëzim krimi”, në lidhje me plagosjen e Gëzim Hajdarajt dhe Ernest Lamajt, të dy nga Kamza. Sipas hetimeve, ai dyshohet se ka ndihmuar Ramadan Canajn, i cili është identifikuar si personi që qëlloi me armë ndaj dy shtetasve.
Në vijim të hetimeve, policia njoftoi:
“Strukturat e Drejtorisë Vendore të Policisë Vlorë dhe të Komisariatit të Policisë Sarandë kanë ndaluar K. J., 31 vjeç, banues në Sarandë, ndaj të cilit Prokuroria ka lëshuar urdhër ndalimi për veprat penale të përmendura, të lidhura me ngjarjen e datës 17.07.2025.”
Ngjarja mori një tjetër kthesë kur, më 22 korrik – katër ditë pas plagosjes – një mjet në pronësi të Klaus Jaçajt u hodh në erë me lëndë eksplozive. Policia po heton nëse shpërthimi lidhet me hakmarrje apo përpjekje për të heshtur të dyshuarin.
Hetimet për zbardhjen e plotë të ngjarjes vijojnë, ndërsa Jaçaj ndodhet tashmë në paraburgim, në pritje të veprimeve të mëtejshme procedurale.
/vizionplus.tv





