Subscribe

Zbulohen detaje të reja në lidhje me ekzekutimin e Gentian Qarri në qytetin e Vlorës. Uniformat blu kanë shoqëruar në komisariat 15 persona që janë marrë në pyetje lidhur me atentatin me armë zjarri që i mori jetën 43-vjeçarit. Mësohet se mes të shoqëruarve janë edhe familjarë të viktimës, kalimtarë të rastit, si dhe banorë të lagjes ku ndodhi krimi.

 

Dëshmitarët pohuan se kanë parë një automjet që vinte drejt viktimës, brenda të cilit ishin të paktën dy persona. Sapo kanë parë Qarrin, ata i janë afruar me shpejtësi në drejtim të tij dhe e kanë goditur me breshëri nga automjeti, raporton Vizion Plus.

 

Autorët nuk janë identifikuar nga kalimtarët pasi kanë qenë të maskuar dhe menjëherë pas krimit ata janë larguar me shpejtësi drejt pyllit të Sodës ku edhe kanë djegur makinën. Automjeti që u përdor në vrasje ishte me targa greke dhe rezulton i vjedhur në shtetin fqinj.

 

Ndërsa arma që u përdor ishte e modelit 54 që mban 30 fishekë. Mbi viktimën është derdhur një karikator i plotë. Duket se autorët e kanë pritur sa ka dalë nga shtëpia e më pas e kanë ekzekutuar. Dyshohet se viktima mund të jetë vëzhguar prej disa ditësh nga autorët.

 

40-vjeçari njihej edhe me pseudonimin “Geçe”, ndërsa më parë ka qenë i dënuar për drogë në Itali. Gentian Qarri ka kryer 11 vite burg në shtetin fqinj dhe kishte 3 vite që kishte përfunduar dënimin. Përfshirja e tij në trafikun e drogës është dhe pista kryesore ku janë fokusuar hetimet.

 

 

 

 

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *