Koronavirusi i ri ka të ngjarë të vazhdojë të përhapet për të paktën 18 muaj deri në dy vjet.

Një ekip ekspertësh pandemikë parashikuan se COVID-19 mund të fillojë të mos përhapet më kur rreth 60-70% e popullatës të jetë e infektuar.

Ata rekomanduan që Shtetet e Bashkuara të Amerikës të përgatiten për skenarin më të keq ku mund të ketë një valë të dytë të madhe të infeksioneve në vjeshtë edhe në dimër.

Sipas ekspertëve, edhe në rastin më të mirë, sërish njerëzit do të vijojnë të humbin jetën për shkak të koronavirusit.

“Kjo gjë nuk do të ndalet derisa të infektojë 60 deri në 70 përqind të njerëzve. Ideja që kjo të ndodhë shpejt kundërshton mikrobiologjinë”, tha për “CNN” Mike Osterholm, që drejton Qendrën për Hulumtim dhe Politikë të Sëmundjeve Infektive në Universitetin e Minesota.

Osterholm shkroi një raport të detajuar për këtë çështje bashkë me epidemiologun e Marc Lipstich. Në raportin e tyre të publikuar të enjten thuhet se duke qenë se COVID-19 është një virus i ri, askush nuk ka imunitet.

“Pandemia mund të zgjasë 18-24 muaj, pasi imuniteti i popullatës zhvillohet gradualisht”, thuhet në raport.

Epidemiologu Marc Lipstich hodhi poshtë mundësitë që virusi të ngordhë gjatë verës.

“Unë kam thënë për një kohë të gjatë se kur përpiqemi të kuptojmë më shumë për sëmundjen infective, duhet të mbështetemi në histori dhe në modele. Për shembull, infeksionet pandemike nuk kanë tendencë të vdesin gjatë verës, siç ndodh me gripin sezonal.”

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *