Ekonomia dhe hashashi, ishte tema e “Dritare me Rudinën”, në Vizion Plus. Ekspertët nga ekonomia, bujqësia, jurisprudenca dhe media, ngritën shqetësimin mbi efektet negative që i vijnë shoqërisë dhe ekonomisë shqiptare nga kultivimi masiv i hashashit, duke arritur në konkluzionin se ky fitim afatshkurtër, do jetë shumë fatal në të ardhmen e Shqipërisë.

Saimir Vishaj- Avokat penalist

Kemi vakum të madh ligjor, pasi deri tani kemi 4 dispozita për cështjen e kanabisit. Nuk ka shumë dispozita, në varësi të dozës, të llojit, të cilat ndikojnë në dhënien e dënimit. Në dispozitat që ka Kodi Penal, jemi më të prapambeturit në Evropë dhe botë. Nuk kemi një përcaktim për atë që mund të quhet dozë e vogël. Në botë 0.5- 20 gram kalon në çështje administrimi , dënohet me gjobë ose deri në 20 ditë burg. Përderisa nuk ka një përcaktim në Kodin Penal të një përdoruesi, kapja e personave me 1 apo 3 gramë, e fryjnë artificialisht çështjen. Do dënojmë shitësin, përdoruesin, investuesin, apo konsumuesin? Deri tani po mbillet në toka pa pronarë. Gjykata po rrit artificialisht strukturimin e organizatave kriminale, pasi edhe kultivuesin po e quan pjesë e një organizate kriminale.

Deri tani kemi disa vrasje. Në momentin e parë duken sikur janë vetëvrasje. Janë vrarë rojet e parcelave, vrasje të cilat mbeten ende të pazbardhura. Ai që investon në këto parcela nuk futet në burg, por futen njerëz që janë roje, korrës. Klientët që kam në burg janë hallexhinj dhe kostoja që shteti paguan për ta është 500 mijë lekë të vjetra ndërkohë që familjarët e tyre janë pa punë. Tani në korrje, nuk mjafton alarmi. Alarmi duhet të bëhej në fillim kur filloi kultivimi. Ne jemi gati që ushtrinë e fusim në plehra, por nuk e fusim në fushta e kanabisit. Është bërë kanabisi masivitet. Unë barazoj vitin 2016 me vitin 1997, pasi edhe atëherë u hapën depot dhe pati një masivizim të armëve. Duhet amnisti, në javë 70 – 100 veta në javë, shifra të frikshme. Janë mbushur burgjet plot me të burgosur. Dy kliente të mi, të huaj janë kapur me 5 gr hashash, janë kapur dhe janë akuzuar për trafikim i lëndëve narkotike. Kjo nuk ndodh në asnjë vend të botës.
Ismail Beka -Giz

Po trajtojmë një cështje shumë të rëndësishme, se cfarë po ndodh me ekonominë dhe ku po shkon ky biznes. Njëlloj si piramidat në 1997-ën, po shkon drejt gjurmëve të pagjetura. Kanabisi po mbillet ne toka që nuk kanë pronarë, në toka që zaptohen, por që realisht i përkasin dikujt. Në këto zona këta njerëz që paguhen, që u ofrohen para për të bërë këtë punë, po largohen nga aktiviteti i ligjshëm.

Sot flitet vetëm për kriminalitet dhe polici,por nuk është vetëm kaq cështja, ka probleme thelbësore.

Një problemi është turizmi, që nëse vazhdohet më këto ritme të kultivimit të kanabisit, turiatët do të largohen. Në Alpe turistët janë njerëz të pasionuar pas maleve, nuk janë ai grup specifik turistësh që mund të duan hashashin.

Lazarati qe një vend me ekonomi të funksionalizuar pas hashashit. Ai ëshët sot një vend i falimentuar. Nëse largohet vëmendja nga bujqësia nga ekonomia, mund të vijnë disa vila të bukura, por nuk ka zhvillim.

Si mund tia dalim? Po shkojmë në shumë zona të Shqipërisë dhe secila ka specifikën e vet. Paralel me infrustrukturën turizmi po bëhet një alternativë për familjet shqiptare. Politika bujqësore sot janë përqëndruar në zonat prodhimtare, si Myzeqeja. Por është e rëndësishme që të investohet edhe në zonat malore. Eksporti është një mundësi që të shfrytëzohet. Sot është 700 milonë defiçit ushqimor, por kjo shifër mund të ulet.

Kemi harruar t’ia japim legalizimin e tokës atij personi që e ka në fshat në mënyrë që të paguja detyrimet ndaj saj. Ka nevojë për më shumë para në fshat.

Aty ku iniciativa është më e lartë ka më shumë mundësi për investime.
Ornela Liperi- Monitor

Ka disa elementë që na bëri ne të revistës Monitor, ta studiojmë më mirë cështjen e kultivimit të kanabisit dhe të shkruajmë për pasojat negative në ekonominë shqiptare. Pati një rritje të cmimevë të produkteve bujqësore në treg, të fruta- perimeve, që erdhi si pasojë e rënies së prodhimit, pasi fokusi qe te mbjellja e hashashit.

Elementi tjetër ishte forcimi i pazakontë i lekut, gjë që nuk kishte ndodhur më pare. Gjithashtu, po zhvendosej vëmendja nga bujqësia, ku janë të punësuar pothuajse gjysma e popullsisë. Edhe personat që punojnë nuk siguronin fitimet e tyre maksimale, por arrinin në vlerën 200 mijë lekë, shumë pak për punën dhe koston që ishte harxhuar.

Duke arritur tek problemet sociale, duke pyetur fermerët thanë se po u merren më qafë fëmijët. Hashashi ka efektë tek të rinjtë. Përtej përfitimit të përkohshëm ka një dëm të pakthyeshëm

Sot shitet 500- 600 euro kilogrami i hashashit, që edhe pse është ulur, prapë ka fitime të mëdha. Fitimi është i lartë, sepse rrisku është i lartë. Fitimi është i lartë për investuesit, por jo për njerëzit që punojnë në parcelat e hasashit, pasi ka raste që edhe nuk paguhen.

Problemet që ngrihen janë të shumta. Ku do shkojnë këto para, sepse janë ilegale? Ku do pastrohen? Do përdoren për të blerë votën. Mungojnë politikat afatgjata, nuk kemi një ekonomi konkurruese, e kjo sjell disa probleme strukturore dhe afatgjata. Ka fermerë që ankohen se nuk ulen çmimet e plehrave dhe e kanë të vështirë të investojnë, ndërkohë që ministri i Bujqësisë, rendit sukseset. Padyshim që shteti është fajtor për gjendjen e tyre.
Arben Malaj- Rektor Luarasi

Kultivimi i hashashit është betejë e shoqërisë, nuk është çështje partish dhe numrash. Duke e parë numrin e njerëzve të ndaluar, shkaqet e ndalimit, kostot janë gjithnjë në rritje. Kostoja e atij që është në burg cenon buxhetin e tij familjar, pasi këta njerëz duhet të vizitojnë, të kujdesën për këtë të burgosur, e kjo do kosto. Të arrestuarit janë krahë pune dhe kryefamiljarë, kjo ndikon në ekonominë familjare. Prandaj këtë problem e shohim në makroekonomi, dhe në këtë przëm parandalimi është më i mirë se dënimi. Fondet që përdorim për të burgosur shkojnë deri në 500 mijë lekë, tdhe do të ishte më mirë që kjo shifër të përdoret për t’i integruar këta njerëz.

Me mbjelljen e hashashit, një individ bëhet i pasur, një person bëhet i pasur, por një shtet dhe një komb nuk bëhet kurrë i pasur.

Të rritet cmimi se ka rënë prodhimi, kur ka lëvizje të fuqisë punëtore nga biznesi legal tek ai kriminal, kjo është shqetësuese. Është proces kalimtar, duke qenë se jemi vend në tranzicion dhe në procesin e integrimit. Të rinjtë që i përorin për luks, për makina, kapardisje, në momentin që do ndërpriten këto të ardhura, këta persona do shkojnë drejt një inkriminalizimi më të thelle.

Nuk do të përsëritet skema e 97 me Piramidat. Kemi pasur situata më të vështira dhe më të rënda ekonomike dhe njerëzit nuk u shtynë drejt krimit. Qeveria duhet të asistojë më shumë shtresat në nevojë.

Bujqësia është cikël i mbyllur prodhim, konservim, shitje. Politikat e Shqipërisë duhet të ndryshojnë, sepse marrëdhëniet ekonomike i ka me vendet ballkanike. Duhet të bëhen bashkë kohezioni social me politikat integrale.

Amnistia zgjidh problemin e atye që janë brenda. Dhe të mos harrojmë dekriminalizimin. Strategjitë e informalitetit, duhet të jetë 80% sensibilizim dhe 20% penalizim.

Duhet pasur kujdes këtë vit, duke qenë vit elektoral, pasi edhe në 96 u tha që të mbyllim zgjedhjet se e zgjidhim cështjen e piramidave, por e vërteta është që ato u zgjidhën ndryshe. Ndaj duhet vëmendje e madhe dhe të mësojmë nga e kaluara./dritare.net

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *