E premte, 30 Tetor 2026 Lajme Ora 19:00 dhe Moti deri në 20:00 Në vijim ora 20:00: Det i Trazuar Reklamo Kontakt Karriera
Vizion Plus
Rajoni

“Edhe sa gra të vrara”, protestë në Pejë për vrasjen e Arlinda Zekajt

Qytetarë, familjarë dhe aktivistë janë mbledhur sot në Pejë në një protestë për të kërkuar drejtësi për Arlinda Zekajn, 49-vjeçaren e vrarë më 25 tetor në Vitomiricë.

Protestuesit kanë kërkuar përgjegjësi institucionale dhe zbardhjen e plotë të ngjarjes. Për vrasjen dyshohet ish-kunati i viktimës, Albert Sylaj, i cili është arrestuar dhe ndodhet në paraburgim.

Reklamë

Marshi protestues ka nisur nga Komuna e Pejës dhe është paralajmëruar të vijojë drejt Qendrës për Punë Sociale, Policisë dhe Gjykatës, për të përfunduar në Prokurori.

Njëra prej organizatoreve të protestës ka deklaruar se institucionet kanë dështuar ta mbrojnë jetën e Arlindës.

Reklamë

“Ne sot si qytetarë e bashkëqytetarë të Arlindës kemi ardhur te secili institucion për të kërkuar drejtësi”, është shprehur ajo.

Gjatë protestës janë hedhur tymuese, ndërsa pjesëmarrësit kanë brohoritur thirrjen: “Edhe sa gra të vrara?”.

Protesta në mbështetje të kërkesës për drejtësi janë paralajmëruar edhe në Mitrovicë, në orën 13:00, dhe në Prishtinë, në orën 16:00.

Rasti ka rikthyer në vëmendje shqetësimet për mbrojtjen e grave që raportojnë dhunë dhe kërcënime. Vetëm tri ditë para se të vritej, Arlinda Zekaj i kishte dërguar një letër kryeprokurores së Pejës, ku kishte shprehur frikën për jetën e saj.

Ndërkohë, ditën e vrasjes, ish-bashkëshorti i saj, Jeton Sylaj, ishte ndaluar nga organet e rendit, pasi Zekaj e kishte denoncuar për mosrespektim të urdhrit mbrojtës.

Vazhdo të lexosh

Reklamë

Lini një koment

Me respekt — komentet moderohen nga redaksia.
Nuk publikohet kurrë.