Subscribe

Në Shkodër po zhvillohet për herë të parë një kompeticion i tejet i veçantë në minifutboll. Bëhet fjalë për kampionatin europian të përfaqësueseve të priftërinjve  ku marrin pjesë 17 shtete.. Edicioni i 16-të i këtij aktiviteti u zgjodh të mbahej në qytetin simbol të harmonisë fetare në Shqipëri . Mirëseardhja, mbi 220 klerikëve ju urua përmes një meshe të mbajtur në katedralen e Shkodrës, pikërisht në këtë vend ku 57 vite më parë regjimi komunist me ndalimin e fesë e ktheu në pallat sporti.

Presidenti i federatës Shqiptare të Futbollit Armand Duka tha se kjo nuk është thjeshtë një garë futbolli.

“Ky nuk është thjesht dhe vetëm një turne sportiv , por është një mundësi e shkëlqyer për të shkëmbyer eksperuencat dhe për të ndarë me njëri tjetrin përvojat kulturore, fetare dhe vlerat më të mira të çdo vendi”, tha presidenti i FSHFArmand Dua.

Përpara nisjes së kompeticionit, pjesëmarrësit panë nga afër xhaminë Ebu Beker, muzeun Marubi dhe vendin e dëshmisë dhe kujtesës, duke u njohur me traditat dhe historinë e Shqipërisë.

“Jemi shumë të lumtur që gjendemi në Shkodër. Përfaqësoj kombëtaren e Austrisë të priftërinjve dhe këtë kampionat e kemi organizuar në vitin 2000 në Austri. Është hera e parë për mua në Shqipëri por sigurisht nuk do të jetë e fundit. Dëgjova për harmoninë fetare këtu në Shkodër dhe është shumë e rëndësishme që të ketë komunikim të mirë mes besimeve të ndryshme. Sa i përket kampionatit që po zhvillohet ndjehemi shumë mirë sepse sporti është i bukur dhe i bashkon njerëzit”, tha përfaqësuesi i kombëtares austriake të priftërinjve Johann Wurzer.

“Hera e parë në Shqipëri, një vend shumë i bukur. Jam i impresionuar nga vizita në xhami dhe harmonia fetare këtu. E kisha njohur vendin tuaj veç nga disa futbollist që luajnë në Rumani”, deklaroi kleriku nga Rumania Man Vasile Gabriel.

“Jemi një grup i ardhur nga Sllovakia. Jemi prej 13 vitesh pjesëmarrës në këtë kampionat dhe sot gjendemi në Shqipëri, e cila po na pëlqen shumë. Jemi të surprizuar nga bukuria e Shkodrës, një qytet europian. Pastaj harmonia fetare ishte një diçka e re dhe që sot më shumë se kurrë na duhet, pasi tek ne edhe të krishterët nuk jetojnë kaq në paqe. Shembull që do të duhet ta përhapim, dëshmi shumë e bukur”, u shpreh Peter Palovcik, klerik nga Slovakia.

Ndeshja e parë mes Shqipërisë e Kroacisë, përfundoi me fitoren e miqve me rezultatin 2-0. Kampionati do të zgjasë deri në  9 shkurt, ku do të shpallen fituesit dhe më pas vendi mikpritës i edicionit të 2025-es.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *