Sikur të mos mjaftojë monopoli që koncensionari i Rinasit ka vendosur në tregun e fluturimeve në Shqipëri, një tjetër situatë e tillë ka 12 vite që është krijuar dhe mes firmave që furnizojnë me karburant avionët në zonën e aeroportit. Duke përfituar nga të drejtat që ka në kontratë për të lidhur marrëveshje me kompani që furnizojnë me naftë mjetet fluturuese dhe duke shfrytëzuar zonën doganore pa taksa që ka në dispozicion, koncesionari i Tirana Inernational Airport ka lidhur kontratë vetëm me një firmë për t’i deleguar këtë shërbim. Autoriteti i Konkurrencës ka hapur një hetim për këtë çështje. Me anë të një vendimi të marrë në datën 14 shtator, komisioni i konkurrencës në bazë të një raporti paraprak të bërë disa muaj më parë, do të nisë hetim të thelluar.
Tregu i karburantit për avionë JET A-1 karosene në aeroportin “Tirana International Aeroport”, ndodhet në kushte monopoli ku një ndërmarrje e vetme, AIR BP ALBANIA ofron karburant për mjetet e transportit ajror. Që prej 31 Dhjetorit 2014, kjo ndërmarrje nuk ka ekskluzivitet në këtë zonë gjeografike.
Në kushtet kur TIA është zotëruesi i vetëm i hapësirës ku mund të realizohet depozitimi me karburant i avionëve, delegemi i këtyre shërbimeve te një firmë e vetme rrit kostot e kompanive ajrore gjë e cila reflektohet direkt në çmimin e biletave.
Ndërmarrja AIR BP ALBANIA zotëron një facilitet esencial për kryerjen e këtij aktiviteti në zonën e “Tirana International Aeroport” dhe në kushtet aktuale konkurrentët potencialë janë të detyruar që të përdorin facilitetin esencial që ajo zotëron kundrejt kushteve të caktuara.
Në vitin 2015-të bilancet e kompanisë që ka eksluzivitetin e shitjes së karburantit në zonën aeroportuale, e cila operon me taksa 0, pa akcizë dhe TVSH, rezulton se fitimet e saj janë më të larta se shumica e firmave që operojnë në tregun e hidrokarbureve në Shqipëri. Nëse pret një biletë për të udhëtuar nga Rinasi në një destinacion çfarëdo, që në fillim ajo ngarkohet me 76 euro taksë që vjen nga koncesionari, mbi këtë pastaj janë çmimet që vendos kompania e fluturimit.