Kanceri i zorrës së trashë, i quajtur ndryshe kanceri kolorektal, është një ndër kanceret më të shpeshtë të diagnostikuar në çdo vend. Sipas të dhënave të raportuara nga autoritetet shëndetsore incidenca dhe prevalenca e këtij kanceri, ka ardhur në rritje gjatë dekadave të fundit në mbarë botën. Në 2019 (viti i fundit para pandemisë) vlerësohet të jenë diagnostikuar rreth 1.9 milion raste të reja me kancer kolorektal dhe janë regjistruar më shumë se 900 mijë vdekje në të gjithë botën.

 

Duket se ky kancer ka pësuar rritje të rëndësishme edhe në vendin tonë gjatë 10 viteve të fundit, nga nivele tradicionalisht shumë të ulëta, krahasuar me rajonin. Në periudhën 2017-2019 në Shqipëri janë diagnostikuar çdo vit rreth 400 raste të reja me kancer kolorektal, një dyfishim krahasuar me periudhën e mëparshme.

 

Incidenca e kancerit të zorrës së trashë është më e lartë te meshkujt krahasur me femrat, duke filluar nga mosha 50 vjeç. Risku është i përfillshëm edhe në moshat 35-40 vjeç, por rreth 85 për qind e rasteve të reja diagnostikohen në moshat mbi 50 vjeç. Mosha mesatare e rasteve të reja në momentin e diagnozës është 63 vjeç. Në periudhën 2015-2019 incidenca rezulton të jetë mesatarisht më e lartë në qarqet e Gjirokastrës, Beratit, Korçës dhe Fierit. Totali i rasteve të reja në popullatën e qarkut Tiranë përbën rreth një të tretën e totalit të rasteve të raportuara gjatë kësaj periudhe nga gjithë vendi.

 

Faktorët e riskut dhe parandalimi

 

Vetëm në 5 përqind të rasteve një ndryshim gjenetik, që ka çuar në kancer kolorektal, mund të trashëgohet te fëmijët. Zakonisht personat që kanë prindër të cilët janë diagnostikuar me kancer kolorektal nën moshën 60 vjeç, duhet të konsiderohen me risk më të lartë. Megjithatë, 95 për qind e kancereve kolorektale nuk mund të shpjegohen nga trashëgimia. Ato zhvillohen si pasojë e një ndryshimi spontan gjenetik në një, apo disa qeliza të zorrës së trashë. Ndryshimi spontan gjenetik nga ana e tij mund të nxitet nga faktorë të ndryshëm. Koliti ulcerativ dhe sëmundja Crohn e rrisin gjithashtu riskun për zhvillim të kancerit kolorektal. Shpesh është e vështirë të identifikohet një shkak për kancerin kolorektal, Megjithatë, faktorët e mëposhtëm të lidhur me mënyrën e jetesës janë parë të rrisin riskun e këtij kanceri.

 

Dieta

 

Është verejtur se kanceri kolorektal ka qenë më i shpeshtë tek popullatat që konsumojnë më shumë produkte mishi (sidomos mishi i kuq, sallamet, etj) dhe yndyrnash shtazore dhe më pak fruta perime apo drithëra.

 

Aktiviteti fizik, pesha trupore, alkooli, duhani

 

Ka studime që tregojnë se risku i këtij kanceri mund të ulet përmes shtimit të aktivitetit fizik, uljes së peshës trupore, uljes së konsumit të alkoolit dhe lënies së duhanit.

 

Duhen 10-15 vite nga shfaqja e anomalive të para në zorrë deri në zhvillimin e plotë të kancerit kolorektal. Ndryshimet tipike anormale që ndonjëherë çojnë në kancer kolorektal janë polipet. Polipet janë masa apo zhvillime në murin e brendshëm të zorrës së trashë. Ato nuk janë kancer dhe shumica e tyre nuk do shkaktojë kurrë kancer.

 

Megjithatë, disa tipe polipesh mund të transformohen gradualisht në kancer. Shumica dërrmuese e rasteve me kancer kolorektal vijnë nga polipet e quajtura adenoma. Polipet ose masat para-kanceroze në zorrën e trashë mund të gjakosen lehtë dhe kjo të shkaktoje prani të qelizave të gjakut shpesh të padukshëm në feçe.

 

Nëpërmjet një testi të thjeshte të quajtur të gjakut okult në feçe (FOBT) mund të verifikohen personat që kanë gjakrrjedhje të tilla të padukshme dhe pa shenja klinike. Sërisht shumica dërrmuese e personave që dalin pozitiv në këtë test, nuk kanë probleme me kancerin dhe ndoshta nuk do të kenë kurrë probleme me kancerin kolorektal në jetën e tyre, por ata konsiderohen me risk të lartë dhe është rekomandueshme të bëjnë ekzaminime shtesë të zorrës, të tilla, si: kolonoskopia, sigmoidoskopia, etj. Këto do të lejonin identifikimin e polipeve apo problemeve të tjera në zorrën e trashë.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *