Subscribe

Xhisiela Maloku dhe Rexhep Rraja kanë dhënë dëshmi kontradiktore ndaj njëri-tjetrit, teksa pasditen e së shtunës u morën në pyetje në Prokurorinë e Krujës.

 

Burime nga organi i akuzës thanë për Vizion Plus se dy të rinjtë pritet që në ditët në vijim të ballafaqohen edhe me njëri-tjetrin.

 

E para që është pyetur nga prokuroria ishte 25 vjeçarja Maloku. Ajo i ka qëndruar dëshmisë së saj fillestare të dhënë në muajin korrik, se ishte torturuar dhe djegur me cigare në trup. Por këtë herë ajo nuk ka përmendur emrin e dhunuesit të saj, ndonëse më herët ka deklaruar se bëhej fjalë për ish të dashurin Rexhep Rraja, djali i deputetit socialist, Rrahman Rraja.

 

Të njëjtat burime thanë se në momentin që Xhisielës i është kërkuar të dëshmojë emrin e dhunuesit, vajza ka kërkuar që kjo çështje të mos ndiqet më, pasi e ka tërhequr kallëzimin e bërë më parë, me pretendimin se marrëdhënia me ish të dashurin është rregulluar.

 

Po ashtu, vajza ka dhënë edhe fakte të reja gjatë dëshmisë, të cilat do të verifikohen gjatë hetimeve.

 

Ndërsa Rexhep Rraja, ka pranuar se ka qenë në lidhje me vajzën 25 vjeçare, por duke mohuar që ta ketë dhunuar apo torturuar atë.

 

Dëshmitë e dy të rinjve vijnë pas ekspertizës mjeko-ligjore, në të cilën thuhet se në trupin e vajzës janë vërejtur shenja dhune dhe djegie me cigare.

 

Nga ana tjetër, dy oficerët Gentian Çitozi dhe Emiljano Nuhu, të cilët kanë marrë më herët në pyetje Xhisiela Malokun janë nën hetim për shpërdorim detyre, pasi sipas policisë, nuk kanë vepruar sipas ligjit.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *