Zbardhet Raporti i PS në Këshillin e Rregullores dhe Mandateve në lidhje me kërkesën e SPAK për të lejuar arrestimin e deputetit të mazhorancës Arben Ahmetaj.

Sipas Raportit të mazhorancës, Përfaqësuesit e Prokurorisë së Posaçme deklaruan se në punën e tyre nuk kanë patur asnjë presion apo ndikim politik apo forma të tjera të presionit dhe se deputeti apo subjekte të tjera nuk kanë penguar hetimin.

 

Deputetet e shumicës parlamentare në Këshill në pyetjet drejtuar përfaqësuesve të Prokurorisë së Posaçme kërkuan të sqaronin: i) nëse Prokuroria e Posacme ka patur ndikim apo ndërhyrje politike apo të ndonjë natyre tjetër për këtë cështje; ii) a është vënë deputeti në dispozicion të organit të akuzës apo i ka penguar hetimet; iii) a kanë patur prokurorët pengesa në hetime nga ana e autoriteteve publike apo subjekteve private; iv) cilat janë  arsyet pse kërkohet masa e sigurimit personal, nevojat për këto masa; v) nëse kërkesa për dhënien e autorizimit për arrestin ose kufizimin e lirisë është në përputhje me kushtet e parashikuara nga  KEDNj dhe në Kodin e Procedurës Penale; iii) nëse ka informacion për përpjekje për të fshehur provat apo rrezik tjetër që cënon hetimet; iv) nëse ka patur Prokuroria e Posaçme presion të cfarëdolloj natyre për këtë çështje etj.

Përfaqësuesit e Prokurorisë së Posaçme shpjeguan në Këshill arsyet e kërkesës, propocionalitetin e veprave penale me shkallën e rrezikshmërisë shoqërore të veprës si dhe me sigurinë që duhet të ketë hetimi. Në lidhje me disa nga pyetjet, përfaqësuesit e Prokurorisë së Posaçme u shprehen se nuk mund të përgjigjeshin pasi çështja është në hetim. Gjithashtu, ata sqaruan se i janë drejtuar Kuvendit me kërkesën për dhënien e autorizimit për arrestimin/heqjen e lirisë dhe ushtrimin e kontrollit personal dhe të banesës së deputetit Z.Arben Ahmetaj, pasi tani, mbështetur në fakte kanë krijuar dyshimin e arsyeshëm se deputeti, z. Arben Ahmetaj ka kryer veprat penale të parashtruara në kërkesë. Përfaqësuesit e Prokurorisë së Posaçme deklaruan se në punën e tyre nuk kanë patur asnjë presion apo ndikim politik apo forma të tjera të presionit dhe se deputeti apo subjekte të tjera nuk kanë penguar hetimin.

 

Më poshtë në Raportin e PS, sqarohet edhe mbrojtja e avokateve të Arben Ahmetajt për të gjitha akuzat që I janë bërë nga SPAK.

 

 

Sipas avokatëve: fakti penal kryesor që i kontestohet deputetit Z.Arben Ahmetaj është fakti i korrupsionit, sipas akuzës i konsumuar 6 herë. Pastrimi i produkteve, kuptohet që është fakt penal i derivuar prej tij. Faktet që lidhen me deklarimin e rremë apo fshehjen e pasurisë, përsëri lidhen me faktin penal kryesor, me një pasaktësi në konceptin e konkurrimit të krimeve.

Në këtë kontekst akuzator, që në kontaktin e parë me organin e akuzës, më 22.6.2023, kur z. Z.Arben Ahmetaj u thirr për t’u marrë në pyetje, parashtruam një kërkesë më se të ligjshme, të mbështetur në nenin 34 të K.Procedurës Penale: kërkuam që të na shpjegohej thjesht, qartë dhe saktë, cilat janë faktet penale të korrupsionit që i atribuohen z.Ahmetaj. E dimë që prokurorët i lidhin këto fakte me hetimin e procedurave për inceneratorët e Elbasanit, Fierit dhe Tiranës, arrijmë të kuptojmë që me procedurat e inceneratorëve, në raport me z. Ahmetaj, sipas këndvështrimit të prokurorëve, ka diçka që nuk shkon, por nuk thuhet konkretisht, qartë dhe me saktësi: cili është veprimi apo mosveprimi kriminal i z.Ahmetaj në cilësinë e ministrit përkatës, cila është pasoja kriminale e ardhur, në ç’masë e kanë determinuar këtë pasojë veprimet e ish-ministrit, çfarë pushteti vendimmarrës i lejonte atij ligji për këto procedura, cilat janë këto 6 raste korruptive, janë të veçuara nga njëra-tjetra apo pjesë e një krimi permanent (mendim unik kriminal), sa para ka përfituar ai për secilin episod korruptiv, etj., etj.

 Këto pyetje, të mbetura pa përgjigje, i bindin avokatët se në veprimet/mosveprimet e ish-ministrit Ahmetaj lidhur me çështjen e inceneratorëve nuk ka ndonjë fakt të dënueshëm penalisht. Dhe nga ky moment, të favorizuar edhe nga pozita e tij politike vulnerabël, hetuesit i rikthehen nje metode të vjetër hetimi: nuk synohen faktet penale, po fillojnë dhe hetojnë personin! Provat që shoqërojnë kërkesën, demonstrojnë qartë se hetuesit kanë kaluar në sitë të gjithë jetën private dhe financiare të ish-ministrit.

 Sistemet që mbështeten tek shteti i së drejtës hetojnë faktet penale, e drejta penale demokratike është “e drejtë e faktit penal”, ndaj në një proces synohet të hetohen ato që ligjvënësi i përcakton, në nenet 149 e vijues të K.Procedurës Penale, si “faktet objekt prove”. Hetimet e gjithashme që puntojnë personin na sjellin ndërmend disa remineshenca të së kaluarës, jo dhe aq të largët. E drejta penale demokratike e refuzon teorinë famëkeqe të “së drejtës penale të autorit”, një atavizëm i regjimeve autoritare, që orienton se në mungesë të faktit penal mund të shtrihemi në hetimin e autorit dhe, natyrisht, diçka e paligjshme do të gjendet në jetën e tij. Dhe nuk është aspak çudi që Arben Ahmetaj, në jetën e tij, të ketë lënë ndonjë taksë pa paguar, të ketë bërë ndonjë ndërhyrje që sot quhet ushtrim i ndikimit të paligjshëm, etj. dhe, në fund të kësaj historie, sido që të shkojë hetimi i faktit kryesor, një akuzë mbi shpinë do t’i mbetet, gjithsesi.

 Avokatët në mbrojtjen e tyre u ndalën në faktet e pretenduara në parashtrimet e Prokurorisë së Posaçme, duke prapësuar se pse nuk janë fakte penale dhe se pse nuk ekziston sipas tyre asnjë rrethanë apo fakt për të pasur një dyshim të arsyeshëm që të përligjë kërkesën e organit të akuzës drejtuar Kuvendit.

 Për fondet që akuza pretendon se përbëjnë drejtpërdrejt ose tërthorazi përfitim të parregullt nga deputeti Z. Arben Ahmetaj, avokatët argumentuan se ngarkojnë deputetët me analiza të panevojshme, duke i shitur si prova të përfitimeve korruptive. Avokatët parashtruan  disa që i konsideronin më kryesore për të sqaruar në lidhje me fondet që përmënden në kërkesë.

 Në lidhje me krimin e parashikuar nga nenet 257/a e 25 të K.Penal, avokatët  parashtruan se krimi i fshehjes së të ardhurave apo i deklarimit të tyre të rremë nga nëpunësit e lartë shtetërorë, nuk mund të konkurrojë me krimin e korrupsionit aktiv, për një arsye shumë të thjeshtë: nuk mundet që ligji t’i kërkojë nëpunësit të korruptuar që të deklarojë në ILDPKPI fondet e siguruara në rrugë korruptive. Është njëlloj sikur të kërkosh që vjedhësi të përgjigjet edhe për moskallëzimin e krimit të vjedhjes! Në kontekstin e akuzave ndaj Z. Arben Ahmetaj, ky element teknik nuk ka ndonjë rëndësi të madhe në planin e sanksionit penal. Por ka rëndësi për të kuptuar metodën se si ka lëvizur Prokuroria e Posaçme: niset nga asgjëja, vë nën hetim personin dhe ngre në këmbë një çështje. Çështja fillimisht ishte e regjistruar për shpërdorim të detyrës, sipas nenit 248 të K.Penal. Që në çdo rast, edhe po të mos gjendej asgjë, një shkelje e ligjit e lidhur me një pasojë tekefundit do të mbetej dhe personi i piketuar për t’u hetuar nuk do të mbetej fare pa akuzë.

 

 

 

Duke marrë në considerate të gjithë parashtrimin e SPAK mbi akuzat ndaj Arben Ahmetajt si dhe qndrimet e palës mbrojtëse, pra avokateve t ëish-ministrit dhe deputetit të PS, mazhoranca në Këshillin e Rregullores dhe Mandateve përpiloi qendrimin e mëposhtëm.

 

Nga pikëpamja formale: Nisur nga këto konsiderata të përgjithshme, ne anëtarët e shumicës parlamentare në Këshill, në analizë të akteve të marra në shqyrtim vlerësojmë se nga pikëpamja formale, kërkesa e organit të akuzës, Prokurorisë së Posacme, ndaj deputetit Z. Arben Ahmetaj, është në përputhje me kërkesat ligjore. Prokuroria e Posacme legjitimohet të paraqesë kërkesën në shqyrtim në Kuvendin e Shqipërisë. Kjo kërkesë plotëson kriteret e nenit 73, pika 2 e Kushtetutës, pasi bëhet për ato shkaqe që parashikohen nga kjo dispozitë. Kërkesa është në përputhje me nenin 288, pika 1 dhe 2 e Kodit të Procedurës Penale, pasi është shoqëruar me relacionin shpjegues dhe provat përkatëse, sipas kërkesave në këtë dispozitë.

Nga pikëpamja substanciale: detyrë e Këshillit është të vlerësojë nëse kërkesa e organit të akuzës ndaj deputetit Z. Arben Ahmetaj, bazohet në kërkesat standarde që ka Kodi i Procedurës Penale në lidhje me një proces penal të rregullt, apo kërkesa e organit të akuzës është e motivuar apo ka sfond politik, apo është e motivuar nga shkaqe të tjera që nuk kanë lidhje me procesin e rregullt penal.

Në analizë të kërkesës, relacionit e provave të paraqitura nga Prokuroria e Posacme, rezulton se ndaj deputetit Z. Arben Ahmetaj, është rregjistruar procedimi penal nr. 277/1, viti 2022, në rregjistrin e veprave penale, ku ai ka cilësinë si person nën hetim, për tre vepra penale (Korrupsion pasiv i funksionarëve të lartë shtetërorë, sipas nenit 260 të K.Penal (të konsumuar 6 herë); Pastrim i produkteve të veprës penale të korrupsionit, të kryer në bashkëpunim dhe më shumë se njëherë, sipas neneve 287/II e 25 të K.Penal; Deklarim i rremë dhe fshehje e pasurisë dhe interesave private nga persona të zgjedhur, të kryer vetëm dhe në bashkëpunim, sipas neneve 257/a/II e 25 të K.Penal), dhe sipas relacionit dhe parashtrimeve të Prokurorisë së Posacmë në Këshill ekziston dyshimi i arsyeshëm bazuar në prova se deputeti i ka kryer ato vepra penale dhe për nevoja të hetimit të mëtejshëm kërkohet dhënia e autorizimit për masat që listohen në kërkesën e Prokurorisë së Posacme drejtuar Kuvendit.

Gjatë shqyrtimit të kërkesës, nuk rezulton që kërkesa të jetë bërë në kushtet e një ndikimi politik apo të një natyre/ndërhyrje tjetër të padrejtë që të bjerë ndesh me interesat e drejtësisë. Në mënyrë të përmbledhur, të pyetur nga anëtarët e shumicës në Këshill, nëse organi i akuzës është ndjerë i ndikuar nga ndonjë faktor për ushtrimin normal të funksioneve të veta, nëse deputeti është vënë në dispozicion të drejtësisë apo e ka penguar hetimin, nëse institucionet shtetërore apo subjekte të tjera e kanë penguar atë të realizojë detyrat e veta, përfaqësuesit e organit të akuzës u përgjigjën se deputeti Z.Arben Ahmetaj, është vënë në dispozicion të procesit, organi i akuzës nuk ka hasur pengesa në punën e vet, nuk ka patur ndikime të asnjë natyre në ushtrimin e detyrave të organit të akuzës në rastin në shqyrtim, dhe duke qenë se sipas organit të akuzës, ekziston dyshimi i arsyeshëm, bazuar në prova se deputeti ka kryer vepra penale, për nevoja të hetimit dhe për të garantuar rezultat kërkohet dhënia e autorizimit për masat përkatëse sipas kërkesës paraqitur Kuvendit.

 

 

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *