Subscribe

Dekreti i presidentit Ilir Meta për paketën antishpifje shkaktoi debate këtë të enjte në mbledhjen e Komisionit të Medias.

 

Për të kërkuar rrëzimin e dekretit ishte e pranishme ministrja e Drejtësisë, Etilda Gjonaj. Ajo tha se ligji antishpifje rregullon tregun e medias dhe i jep fund cenimit të dinjitetit.

 

“I qëndrojmë argumentet tona për pasojat që tregu i parregulluar ka sjellë. I qëndrojmë kërkesës për rrëzim të dekretit të presidentit. Qëllimi i paketës antishpifje, vendosja e rregullave për të parandaluar cenimin e dinjitetit të njeriut, të drejtat e fëmijëve përmes një procesi të shpejtë administrativ dhe efikas. Një sërë vende si Gjermania apo Kroacia, kanë miratuar paketa më të ashpra anti-shpifje, duke njohur shpifjen si vepër penale.”

 

Por këshilltari ligjor i Presidencës, Bledar Dervishaj hodhi poshtë pretendimet e Gjonajt, duke deklaruar se ligji në fjalë përbën rrezik kombëtar. Sipas tij, përmes paketës po rikthehet diktatura dhe prandaj duhet të reflektohen ndryshime.

 

“Konstatohet se disa dispozita bien në kundërshtim me parimet kushtetuese, sigurinë juridike, mbrojtjen e të drejtës së lirisë së shprehjes dhe shtypit. E nevojshme që dispozitat të rishikohen, pasi përbëjnë rrezik të interesit publik. Këto dispozita përmbajnë elemente të censurës. U jepet fuqi për masa ndëshkuese para se të ketë një vendim të formës së prerë. Masat ndëshkuese krijojnë hapësira që të aplikohen ndaj mediave online që janë kritike me qeverinë apo nuk i përshtaten vullnetit të saj.”

 

Debati vijoi më tej mes Etilda Gjonajt dhe kryetares së Komisionit të Medias, Fationa Dhimitri. Një deklaratë e ministres se paketa është konsultuar me organizatat ndërkombëtare nxiti reagimin e ashpër të Dhimitrit.

 

“Si mund të gënjeni publikisht të thoni se ligji është konsultuar e dakordësuar me organizmat ndërkombëtare?”

 

Në kundërpërgjigje, Etilda Gjonaj u shpreh se nëse nuk ka interes për qëndrimin e qeverisë, atëherë largohet nga komisioni.

 

“Nëse doni të dini qëndrimin e qeverisë vazhdoj, nëse jo unë largohem. OSBE jo vetëm e mbështet ligjin, por do e monitorojnë zbatimin dhe hartimin e akteve nënligjore.”

 

Në fund të mbledhjes, dekreti i Ilir Metës u rrëzua. Edhe Komisioni i Veprimtarisë Prodhuese mori të enjten të njëjtin vendim, ndërsa Asambleja Parlamentare e Këshillit të Evropës e çoi paketën në Komisionin e Venecias për t’i kërkuar opinion ekspertëve.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *