Kryetari i Bashkisë së Durrësit, Vangjush Dako, ka reaguar pas protestës së studentëve të Universitetit të Durrësit, lidhur me landfillin e mbetjeve në Porto Romano.

 

Në këtë protest studentët paralajmëruan për bojkotim të mësimit, nëse nuk zgjidhet problematika.

 

Përmes një postimi në rrjetin social Facebook, kryebashkiaku Dako, shkruan se bashkia është në mes të një procesi për zgjidhjen e problemit ku rolin kyç e ka qeveria shqiptare.

 

Sipas tij ky proces do të finalizohet me pastrimin përfundimtar të vendgrumbullimit të mbetjeve dhe kthimin e Porto Romanos në park.

 

“Të nderuar qytetarë! Dëshiroj të sqaroj opinionin publik në lidhje me hapat që po ndiqen për zgjidhjen përfundimtare të mbetjeve në zonën e Porto Romanos në Bashkinë Durrës. Këshilli Bashkiak i Durrësit me vendim Nr. 533 datë 10.07.2018 ka vendosur “Miratimin për shpalljen e emergjencës mjedisore në fushën e Menaxhimit të Integruar të Mbetjeve Urbane për territorin e Bashkisë Durrës”. Si çështje e parë është grumbullimi i mbeturinave dhe bonifikimi i zonës. I është kërkuar Qeverisë dhe Shoqërisë Konçesionare në Tiranë të marrë në konsideratë spostimin e mbetjeve të Porto Romanos për në Tiranë dhe trajtimin e tyre përkatës.

Të hënën më datë 29.10.2018 u mblodh Komiteti i Menaxhimit të Integruar të Mbetjeve për shpalljen e gjendjes së Emergjencës Mjedisore. Aktualisht po analizohen kostot e kryerjes së transportit, përkatësisht kostot që do të mbulojë Bashkia dhe ato që do të mbulojë Qeveria. Gjithashtu paralel me këtë proces, po hartohet dhe projekti i cili e kthen zonën e Porto Romanos (fushën aktuale të vendgrumbullimit të mbetjeve) në një park të gjelbëruar për qytetin. Bashkia Durrës është në mes të një procesi për zgjidhjen e problemit ku rolin kyç e ka qeveria shqiptare. Ky proces do të finalizohet me pastrimin përfundimtar të vendgrumbullimit të mbetjeve dhe kthimin e Porto Romanos në park.”

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *