Subscribe

“Fermerët e fushës së Maliqit zënë vendin e parë për sa i përket prodhimit të qepës. Në fushën e Maliqit janë thuajse 800 hektarë të mbjella me qepë, ndërkohë që prodhimi është 40 mijë ton, prodhim i cili është shitur i gjithi.”

 

Por ndryshe nga çdo sezon tjetër, këtë vit kilogrami i qepës po shitet gati 3 herë më shtrenjtë, me një çmim që shkon deri në 170 lekë në tezgat e Tiranës. E gjitha kjo, shpjegon Astrit Xhangoli, një nga fermerët e fushës së Maliqit që ka të mbjellë 15 ha me qepë, vjen për shkak të kërkesës së tregut rajonal.

 

 

ASTRIT XHANGOLI

 

FERMER

 

“Pati mungesë tregu edhe në Ballkan, edhe në Evropë dhe prandaj erdhi ky çmim kaq i lartë. Për pasojë, ne kemi eksportuar qepë në Maqedoni dhe në Kosovë. Kostoja e 1 kg qepë shkon diku te 350-400 lekë. Ne e kemi shitur me shumicë diçka te 420-450 lekë.”

 

Edhe për specialistin Arben Dulellari, faktori kryesor i shitjes së qepës këtë vit me një çmim që nuk është parë në tregun vendas ka të bëjë me kërkesat në rritje të tregut të huaj.

 

 

ARBEN DULELLARI

 

SPECIALIST BUJQESIE

 

“Fermerët e Maliqit kanë cilësi prodhimi dhe kjo ka tërhequr vëmendjen e tregtarëve vendas dhe atyre të huaj. Fermerët po përshtasin prodhimet me kërkesat e tregut. Këtë vit kërkesat erdhën në rritje, sidomos në periudhën e fundit të dimrit sepse pati kërkesa nga tregu i jashtëm, kryesisht nga Kosova dhe Maqedonia dhe e kanë tërhequr qepën me çmim shumë të mirë dhe të leverdishëm për fermerët.”

 

Sot, sipas tregtarëve, në treg mbizotëron qepa e importit, pasi prodhimi vendas ka mbaruar. Kilogrami i qepës së thatë me shumicë blihet 130 lekë dhe në fund për konsumatorët del me një çmim mesatarisht 20 lekë më shtrenjtë.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *