Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka certifikuar rezultatet përfundimtare të zgjedhjeve parlamentare të 7 qershorit, duke i hapur rrugë fazës së formimit të institucioneve të reja të vendit.
Sipas rezultateve të certifikuara, Lëvizja Vetëvendosje ka siguruar 53 mandate në Kuvend. Partia Demokratike e Kosovës ka fituar 22 depute e pasuar nga Lidhja Demokratike e Kosovës me 18 të tillë.
“Vetëm në listën e deputetëve të Aleancës ka ndryshime, pasi dy deputetë të zgjedhur kanë hequr dorë nga mandati. Për rrjedhojë, Adrian Gjini dhe Daut Haradinaj do të zëvendësohen nga Bekë Berisha dhe Burim Ramadani”, tha Kreshnik Radoniqi, kreu i KQZ-së në Kosovë
Pas certifikimit, ushtruesja e detyrës së presidentes Albulena Haxhiu ka detyrimin kushtetues të thërrasë seancën konstituive të Kuvendit brenda 30 ditëve. Në këtë seancë do të zgjidhen kryetari dhe nënkryetarët e Kuvendit, ndërsa më pas do të nisë procedura për formimin e Qeverisë së re.
Për krijimin e shumicës parlamentare nevojiten të paktën 61 mandate. Përfaqësues të Lëvizjes Vetëvendosje kanë deklaruar se i kanë siguruar votat për formimin e ekzekutivit, ndërsa kanë shprehur gatishmëri për dialog edhe lidhur me zgjedhjen e presidentit.
Megjithatë, analistët vlerësojnë se sfida më e madhe mbetet zgjedhja e presidentit të ri, proces që kërkon konsensus më të gjerë politik. Kushtetuta parashikon që presidenti të zgjidhet brenda 60 ditëve nga konstituimi i Kuvendit. Nëse kjo nuk ndodh, Kuvendi shpërndahet dhe vendi shkon në zgjedhje të reja.





