Fshati Gruemirë në Malësinë e Madhe u trondit të shtunën nga dy ngjarje kriminale të njëpasnjëshme, të kryera nga të njëjtët autorë.
Në mëngjes, dy persona të maskuar, duke lëvizur me motor, iu afruan banesës së familjes Kurtaj dhe qëlluan me shotgun drejt kamerave të sigurisë, e më pas u larguan drejt një zone malore.
Ndërsa në mbrëmje, të njëjtët autorë u kthyen në fshat, por këtë herë u përballën me tre djemtë e familjes, Mirsad, Besim dhe Edison Kurtaj, të cilët i pritën në rrugë me automjetin e tyre. Kur autorët kuptuan se po ndiqeshin, qëlluan me breshëri në ajër dhe në tokë, ndërsa ndjekja mes tyre zgjati rreth 10 minuta.
Në një moment, njëri prej agresorëve humbi kontrollin dhe u rrëzua nga motori, por arriti të largohej përmes fushave të mbjella të fshatit. Policia e Malësisë së Madhe nisi hetimet dhe është vënë në ndjekje të autorëve, ndërkohë që tre vëllezërit Kurtaj, në deklaratën e tyre, thanë se i njihnin agresorët.
Ndërkohë policia bëri të ditur sot se ka identifikuar 2 personat e dyshuar si autorë të ngjarjes. Sipas bluve, të rinjtë kanë shkuar në fshatin Gruemirë për të grabitur, por pasi janë pikasur nga banorët me të cilët kanë pasur dhe përplasje janë larguar me shpejtësi duke qëlluar me armë zjarri.
Njoftimi i policisë:
Malësi e Madhe
Dyshohet se shkuan për të vjedhur në fshatin Gruemirë por u diktuan nga banorët, gjatë largimit qëlluan me armë zjarri në ajër, Policia zbardh ngjarjen.
Identifikohen dhe shpallen në kërkim dy shtetas, të dyshuar si autorë që qëlluan me armë zjarri.
Vijon puna intensive për kapjen e tyre
Specialistët për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Malësi e Madhe, në vijim të ngjarjes së ndodhur në fshatin Gruemirë, bazuar edhe në informacionet e siguruara nga inteligjenca policore dhe si rezultat i veprimeve të shpejta u bë e mundur zbardhja e ngjarjes, identifikimi dhe shpallja në kërkim e tyre.
U shpallën në kërkim shtetasit E. V., 22 vjeç, banues në fshatin Hot i Ri dhe R. Z(P)., 27 vjeç, banues në fshatin Shtoj i Vjetër;
Nga veprimet paraprake rezulton se dy shtetasit e mësipërm dyshohet se kishin shkuar për të vjedhur në fshatin Gruemirë por janë diktuar nga tre shtetas banorë të fshatit e të cilët këta dy shtetas kanë debatuar dhe më pas gjatë largimit kanë qëlluar me armë zjarri në ajër.
Vijon puna intensive për lokalizimin dhe kapjen e tyre.
Materialet i kaluan Prokurorisë, për veprat penale “Kanosja” dhe “Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe i municionit”. /vizionplus.tv






hahahaha, këtij i ka ik mendja