Shtetet e Bashkuara të Amerikës kanë kryer sulme ndaj Venezuelës dhe kanë kapur udhëheqësin e saj Nicolas Maduro së bashku me gruan e tij.
Lajmin e konfirmoi presidenti Donald Trump.
Lexo edhe :
Related Posts
“Shtetet e Bashkuara të Amerikës kanë kryer me sukses një sulm në shkallë të gjerë kundër Venezuelës dhe udhëheqësit të saj, presidentit Nicolas Maduro, i cili, së bashku me bashkëshorten e tij, janë kapur dhe janë dërguar me avion jashtë vendit”, tha Trump.
Sulmi vjen pas një sërë akuzash nga Uashingtoni se Maduro drejton një narkoshtet dhe se ka manipuluar procesin zgjedhor.
Shpërthimet e para u dëgjuan në Karakas dhe disa zona të tjera, rreth orës 02:00 të mëngjesit, me flakë dhe tym të zi që dilte nga disa ndërtesa.
Pamjet u publikuan në rrjetet sociale nga qytetarët e tronditur.
Qeveria venezuelase bëri të ditur se përveç Karakas, sulme kishte edhe në qytetet Miranda, Aragua dhe La Guaira, duke e shtyrë qeverinë të shpallë gjendje të jashtëzakonshme kombëtare dhe të mobilizojë forcat e mbrojtjes. Në pjesën jugore të Karakas, ku ndodhet një bazë e madhe ushtarake, pati edhe ndërprerje të energjisë elektrike.
Presidenti Trump do të japë detaje të mëtejshme për situatën në konferencë më vonë gjatë ditës, ndërsa qeveria e Venezuelës tha se qëllimi i sulmeve është që SHBA- të të marrin në zotërim naftën dhe mineralet e vendit.
Zëvendëspresidentja e Venezuelës, Delcy Rodriguez, e cila mund të marrë përsipër drejtimin e qeverisë, kërkoi publikisht informacione për vendndodhjen dhe gjendjen shëndetësore të Maduros dhe gruas së tij.

/vizionplus.tv







