Sekretari amerikan i Shtetit, Antony Blinken, ka thënë se Ukraina ka rimarrë rreth 50 për qind të territorit që ka zaptuar Rusia, ndonëse kundërofensiva e Kievit do të zgjasë disa muaj.

 

“Ajo tashmë ka rimarrë rreth 50 për qind të asaj që ishte zaptuar”, ka thënë Blinken në një intervistë për rrjetin televiziv CNN, të dielën.

 

“Këto janë ditë relativisht të hershme të kundërofensivës. Është e vështirë”, ka thënë ai, raporton Reuters.

 

“Nuk do të përfundojë për një javë apo dy. Ne presim [që kundërofensiva të zgjasë] disa muaj”, është shprehur Blinken.

 

Komentet e kryediplomatit të Shteteve të Bashkuara të Amerikës erdhën pak orë pasi presidenti i Rusisë, Vladimir Putin, tha se kundërofensiva e Ukrainës “ka dështuar”.

 

Putin e ka bërë këtë vlerësim teksa ka pritur aleatin e tij të ngushtë, udhëheqësin bjellorus, Alyaksandr Lukashenka, për bisedime në Shën Petersburg, të dielën.

 

“Nuk ka kundërofensivë”, ka thënë Lukashenka, i cituar nga agjencitë ruse të lajmeve. Putin i është përgjigjur atij, duke thënë se “ajo ekziston, por ka dështuar”.

 

Ukraina ka nisur kundërofensivën e saj të shumëpritur muajin e kaluar, por deri më tani ka bërë vetëm përparime të vogla kundër forcave ruse të shtrënguara në pozicione, të cilat kontrollojnë më shumë se një të gjashtën e territorit të saj, pas gati 17 muajsh luftë.

 

Gjenerali amerikan, Mark Milley, shef i Shtabit të Përgjithshëm të ushtrisë së Shteteve të Bashkuara të Amerikës, ka thënë të martën se nisma ukrainase “është larg të qenët e dështuar”, por se do të jetë e gjatë, e vështirë dhe e përgjakshme./rel

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *