Presidenti Joe Biden nënshkroi të mërkurën një urdhër ekzekutiv për mbikëqyrjen nga e qeverisë së kriptomonedhave, i cili nxit Rezervën Federale (bankën qendrore) të shqyrtojë mundësitë e lëshimit të monedhës së saj dixhitale.

 

Sekretarja e Thesarit Janet Yellen tha se kjo masë do të nxiste një sistem financiar më të drejtë, më gjithëpërfshirës dhe më efikas, duke luftuar financimin e paligjshëm dhe duke parandaluar rreziqet ndaj stabilitetit financiar dhe sigurisë kombëtare.

 

Administrata Biden e sheh popullaritetin e vrullshëm të kriptomonedhës si një mundësi për të shqyrtuar rreziqet dhe përfitimet nga monedhat dixhitale, tha një zyrtar i lartë i administratës i cili foli në kushte anonimiteti rreth urdhrin të martën, përpara lëshimit të tij.

 

Presidenti Biden udhëzoi gjithashtu Departamentin e Thesarit dhe agjencitë e tjera federale të studiojnë ndikimin e kriptomonedhës në stabilitetin financiar dhe sigurinë kombëtare.

 

Brian Deese dhe Jake Sullivan, këshilltarët kryesorë të Presidentit Biden për çështje të sigurisë ekonomike e kombëtare, thanë se urdhri krijon strategjinë e parë gjithëpërfshirëse federale mbi monedhat dixhitale.

 

“Kjo do të ndihmojë në pozicionimin e SHBA-ve që të vazhdojnë të luajnë një rol udhëheqës në inovacionin dhe qeverisjen e ekosistemit të pasurive dixhitale brenda dhe jashtë vendit, në një mënyrë që mbron konsumatorët dhe në përputhje me vlerat tona demokratike, duke avancuar konkurrencën globale”, thanë zoti Deese dhe zoti Sullivan të mërkurën në një deklaratë të përbashkët.

 

Masa vjen ndërsa ligjvënësit dhe zyrtarët e administratës janë shprehur gjithnjë e më shumë të shqetësuar se Rusia mund të përdorë kriptovalutat për të shmangur ndikimin e sanksioneve të vendosura ndaj bankave, oligarkëve dhe industrisë së naftës, për shkak të sulmit ndaj Ukrainës.

 

Javën e kaluar, senatorët demokratë Elizabeth Warren, Mark Warner dhe Jack Reed i kërkuan Departamentit të Thesarit të jepte informacion mbi masat për të penguar përdorimin e kriptomonedhës për t’iu shmangur sanksioneve.

 

Administrata Biden ka argumentuar se Rusia nuk do të jetë në gjendje të kompensojë humbjen e biznesit amerikan dhe evropian duke iu drejtuar kriptomonedhës. Zyrtarët thanë se për urdhrin e presidentit demokrat mbi kriptomonedhat po punohej prej muajsh, përpara se Vladimir Putin të sulmonte Ukrainën, muajin e kaluar.

 

Daleep Singh, zëvendës këshilltar për sigurinë kombëtare dhe ekonominë i Presidentit Biden, tha për rrjetin televiziv CNN të mërkurën se “kriptomonedhat nuk janë realisht një zgjidhje për sanksionet amerikane”.

Urdhri ekzekutiv po pritej gjerësisht nga industria e financave, tregtarët e kriptomonedhave, e ligjvënës që e kanë krahasuar tregun e kriptomonedhave me “perëndimin e egër”.

 

Qeveria thotë se pavarësisht rreziqeve, sondazhet tregojnë se afërsisht 16% e amerikanëve të rritur, ose 40 milionë njerëz, kanë investuar në kriptovaluta. Dhe 43% e meshkujve të moshës 18 deri në 29 vjeç i kanë paratë e tyre në kriptovaluta.

 

Coinbase Global Inc., platforma më e madhe e shkëmbimit të kriptomonedhave në Shtetet e Bashkuara, thotë se kompania nuk kishte vënë re një rritje kohët e fundit në aktivitet me synimin për t’iu shmangur sanksioneve.

 

Zonja Yellen tha javën e kaluar se shumë pjesëmarrës në rrjetet e kriptomonedhave i nënshtrohen sanksioneve kundër pastrimit të parave dhe se industria nuk është plotësisht, siç tha ajo një mjedis ku gjërat mund të shmangen.

 

Sa i përket përfshirjes së Rezervës Federale me pasuritë dixhitale, banka qëndrore lëshoi një dokument në janar që thoshte se një monedhë dixhitale do t’i shërbente më mirë nevojave të vendit përmes një modeli në të cilin bankat ose firmat e pagesave krijojnë llogari ose kuleta dixhitale.

Disa pjesëmarrës në monedhën dixhitale e mirëpritën idenë e përfshirjes më të madhe të qeverisë./VOA

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *