Marina amerikane ka paralajmëruar të gjitha anijet me flamur amerikan, që në 72 orët e ardhshme, të largohen nga zonat përreth Jemenit në Detin e Kuq, si dhe në Gjirin e Adenit, pas një vale sulmesh një ditë më parë ndaj grupit të armatosur të Jemenit, Houthi.
Paralajmërimi erdhi pasi këta të fundit u zotuan për hakmarrje të fortë ndaj sulmeve të udhëhequra nga Uashingtoni dhe Londra, duke rritur më tej mundësinë e një konflikti më të gjerë në Lindjen e Mesme.
Sulmet e udhëhequra nga Shtetet e Bashkuara, vranë të paktën pesë persona dhe plagosën gjashtë të tjerë. Shtetet e Bashkuara thanë se sulmet, që u zhvilluan në dy faza, goditën objektiva në 28 vendndodhje të ndryshme, në zona që kontrollohet nga rebelet Houthi.
I pyetur nga gazetarët, presidenti Joe Biden paralajmëroi sulme të reja ndaj grupit të armatosur.
“Ne do të sigurohemi që së bashku me aleatët tanë t’i përgjigjemi grupit Houthi nëse ata vazhdojnë me këtë sjellje të egër“, tha Biden.
Sipas autoriteteve amerikane dhe britanike, sulmet e një dite më parë goditën dhe paaftësuan bazat e grupit për të vijuar sulmet ndaj anijeve tregtare që kalojnë në detin e kuq por përfaqësues të Houthit thanë se ato nuk patën ndonjë impakt të rëndësishëm.
Në nëntor Shtëpia e Bardhë bëri të ditur se po shqyrtonte mundësinë për ripërcaktimin e Houthi si organizatë terroriste, kur ata filluan të godasin anijet civile ndërsa vetë Biden tha se ata janë një grup i tillë.
Administrata Biden e hoqi zyrtarisht këtë grup nga lista e organizatave terroriste në vitin 2021, duke zhbërë vendimin e mëhershëm të Presidentit Donald Trump. Tensionet në Detin e Kuq vijnë në vazhdën e përhapjes së konfliktit mes Izraelit dhe Hamasit, në Lindjen e Mesme. Ashtu si Hamasi edhe Houthi i Jemenit gëzon mbështetje nga Irani. /vizionplus.tv