Kreu i Partisë Demokratike, Sali Berisha, në një konferencë me gazetarët ditën e sotme ka zbuluar se strategjia e opozitës do të jetë një betejë pa kompromis deri në rrëzimin e kryeministrit Edi Rama, duke theksuar se qeveria aktuale nuk ka më legjitimitet.
Duke u ndalur te protesta e 10 shkurtit, Berisha u shpreh se zemërimi i qytetarëve ndaj pushtetit është i justifikuar dhe i bazuar në motive të forta, ndërsa akuzoi qeverinë për shndërrimin e zgjedhjeve në farsë, korrupsion masiv dhe pengim të drejtësisë, duke shtuar se shqiptarët janë të vendosur për ndryshim.
Berisha: Strategjia e PD është betejë gjer në rrëzimin e Ramës. Ai nuk ka legjitimitet. Jemi shumë mirënjohës sepse një qytetar që të zemërohet ndaj pushtetit të vendit tij, duhet të ketë motive të forta. Ndaj qytetarët i kanë motivet. Qeveria nuk ka legjitimitet, ka shndërruar zgjedhjet në farsë, ka vjedhur qindra mln euro, nuk do drejtësinë. Shqiptarët janë të vendosur”
Berisha theksoi se e vetmja shpresë për ndryshim vjen nga reagimi i qytetarëve, ndërsa shprehu bindjen se data 10 shkurt do të shënojë, sipas tij, triumfin e qytetarëve shqiptarë.
Berisha: Qytetarë është fjala juaj. Është guximi juaj. Është zemërimi juaj. Asnjë shpresë nuk ka përveç guximit, revoltës, zemërimit tuaj ndaj kësaj organizate kriminale që nuk njeh ligj as moral në vjedhjen, plaçkitjen tuaj. Unë kam besim se data 10 shkurt do të jetë triumfi i qytetarëve shqiptarë ndaj kësaj organizate kriminale. Pra, fjala është e qytetarëve. Drejtësia, e patë se ku ka rënë./vizionplus.tv





